Skemë mashtrimi me bursat në SHBA, e përfshirë edhe zyrtarja e Drejtorisë së Arsimit

Policia Kriminale ka zbuluar një skemë mashtrimi për bursat e studimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nën hetim janë vënë 2 persona, pasi dyshohet se kanë falsifikuar dokumente për bursat e studentëve. Një prej të dyshuarave është edhe zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit.

Sipas hetimeve, të dyshuarat mashtronin nëpërmjet projektit ‘Let’s Talk Together About US24’. Më herët Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëroi qytetarët që të mos binin pre e kësaj skeme mashtrimi.

“Shtetasja V. L. është vënë në hetim, bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”

Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi”, njofton policia.