SKANDALI/ Shallin e kuq nuk e ka mbajtur as i ati, si tentoi të justifikohet Sokol Sadushi, ka shkelur Kodin e Etikës në 3 raste

Dy ditë më parë në media dhe rrjetet sociale u bë virale një foto e kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushit, përkrah zyrtarëve të Partisë Socialiste, teksa mbante të veshur edhe një shall të kuq.

Shfaqja e tij përkrah zyrtarëve të një partie politike dhe mbajtja e shallit të kuq, një simbol i komunizmit, është një shkelje e rëndë që kreu i Gjykatës së Lartë i bën Kodit të Etikës, pasi sjellja e Sadushit bie në kundështimin të hapur me vendimin numër 171 i vitit 2021, nxjerrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Aty thuhet shprehimisht, në pjesën e “Parimeve Bazë të Kodit të Etikës Gjyqësore” në nënçeshtjen Ç “Parimi i Sjelljes së Hijshme dhe me vetëpermbajtje”, në pikën g’, se gjyqtari, “duhet të shmangë shfaqjen e bindjeve të tij politike, edhe pse ai si çdo qytetar gëzon të drejtën për të pasur të tillë”. Kjo ishte shkelja e parë e kreut të Gjykatës së Lartë.

Vetë Sokol Sadushi ka reaguar sot pas publikimit të këtij skandali, teksa në reagimin e tij mundohet të justifikojë shkeljen e bërë. Ai shkruan se ka qenë i ftuar në një aktivitet në kujtim dhe nderim të 80 vjetorit të krijimit të Brigadës së Pestë, themelues i së cilës ka qenë edhe babai i tij, Maliq Sadushi.

Por kjo nuk e justifikon Sokol Sadushin, pasi 20 Janari nuk është festë lokale dhe as kombëtare në protokoll, ndaj kjo është një shkelje e Kodit të Etikës. Kjo ishte shkelja e dytë e Sokol Sadushit.

Në reagimin e tij, Sadushi nuk gjen asnjë justifikim për shallin e kuq të vendosur, sepse në të vërtetë nuk ka një justifikim për këtë. Shallin e kuq nuk e ka mbajtur as babai i tij, Maliq Sadushi, pasi ky shall është një simbol i komunistëve. Kjo ishte shkelja e tretë dhe më e rëndë e  kreut të Gjykatës së Lartë.

Janë 3 raste që Sokol Sadushi shkel hapur dhe me bindje të plotë Kodin e Etikës në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që nuk kërkon falje publike, por reagon duke tentuar të justifikojë veprimet e tij anti-ligjore.

Theksojmë se Sadushi ka një post shumë shumë të rëndësishëm, pasi drejton një nga gjykatat me më shumë peshë në vend, por nuk ngurron të pozojë me shallin komunist në qafë duke fyer kujtimin e mijëra viktimave dhe familjeve të tyre, të masakruara nga regjimi komunist.

Tri dekada pas rënies së komunizmit, familjarët e personave të zhdukur kërkojnë ende të mësojnë se si u vranë dhe ku u varrosën të dashurit e tyre ndërsa institucionet ia pasojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit.

Reagimi i Sokol Sadushit:

Ka disa ditë që zëra publikë kanë shpërndarë në opinion fakte dhe qëndrime, të cilat janë larg së vërtetës në formulim, të njëanshme në shpjegim dhe të pasakta në interpretim, se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në një veprimtari që është e papajtueshme me funksionin e tij, si gjyqtar.

Ndjehem i detyruar që në interes të transparencës me publikun dhe me dëshirën për të hedhur dritë në mënyrën e duhur, të sjell në vëmendje se:

Tri njësi administrative, bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Selenicës, në datën 20 janar 2024, organizuan në mënyrë të përbashkët një veprimtari në kujtim dhe nderim të 80 vjetorit të krijimit të Brigadës së Pestë, një nga formacionet më të njohura luftarake shqiptare, pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, që ka kontribuar në çlirimin e vendit dhe ka luftuar në Kosovë e deri në Sanxhak të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë aktivitet jam ftuar mes qindra të tjerëve, me cilësinë e pjesëtarit të familjes së një prej themeluesve të kësaj brigade, babait tim Maliq Sadushi.

Ngjarjet e rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e kujtesës dhe trashëgimisë historike të të gjitha vendeve të rreshtuara në aleancën e madhe antifashiste të kohës. Askund dhe askush në këto vende nuk gjykon se nderimi i asaj përpjekjeje titanike të njerëzimit dhe botës demokratike ka të bëjë me ngjyrime ideologjike të lidhura me të sotmen.

Dita e çlirimit në Shqipëri apo 9 maji, dita e fitores mbi nazifashizmin që përkujtohet në të gjithë Evropën nderohen zyrtarisht nga ata që besojnë se antifashizmi është një vlerë morale e njerëzimit. Nderimi dhe solemniteti përballë veprës së atyre të rinjve, një pjesë e të cilëve edhe martirë, që morën pjesë në luftë, njëlloj si moshatarët e tyre antifashistë kudo në botë, është detyrim moral i gjithkujt, i çdo patrioti që do atdheun. Një akt historik nuk gjykohet, duke e njësuar atë me regjimin komunist që u instalua pas çlirimit të vendit dhe për këtë nuk mund të akuzohen edhe çlirimtarët antifashistë, që si qëllim patën veçse çlirimin e vendit të tyre.

Në këtë kuptim, pretendimi se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në veprimtari të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit është i gabuar dhe jo logjik. Pjesëmarrja në një veprimtari përkujtimore të Luftës Antifashiste, e cila nderohet sot në të gjithë botën demokratike, nuk cilësohet si angazhim në një aktivitet politik, e aq më pak të identifikueshëm me një parti të caktuar politike në Shqipëri.

Unë ndjehem plotësisht i përgjegjshëm dhe i përkushtuar ndaj detyrimeve të mia si gjyqtar dhe si qytetar, pjesë e të cilave është dhe mirënjohja për sakrificat që populli shqiptar bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një sjellje e ndryshme nga ana ime, nëpërmjet mohimit të historisë së vendit dhe asaj familjare, do të duhej të shkaktonte më shumë shqetësim për personalitetin e gjyqtarit, sesa pjesëmarrja në aktivitetin që bëhet në nderim të luftës dhe kontributit të babait tim, të bashkëluftëtarëve të tij dhe të gjithë dëshmorëve të atdheut.

Në përfundim të këtij shpjegimi të detyruar, gjej rastin të siguroj publikun se angazhimi im profesional në fushën e drejtësisë do të jetë i njëjtë, me përkushtim maksimal, të përditshëm e të ndershëm në misionin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës.