Nuk ka fund ulja e dinjitetit të efektivëve të Policisë nga ana e Ministrisë së Brendshme, që po tregon në çdo vendim mungesën e vlerësimit ndaj këtyre punonjësve të shtetit shqiptar.
Pasi u hoqi mundësinë e pushimeve verore, u shtoi orarin në muajt më të nxehtë të vitit, iu mbajti lekët e dietave ushqimore për 6 muaj pavarësisht premtimeve nga ministri Taulant Balla, tashmë ka ardhur edhe një tjetër vendim skandaloz.
Paratë e dietave ushqimore, që ishin premtuar se do të kalonin së bashku me pagën mujore, tashmë do të jepen në një kartë që do të tërhiqet në Tirana Bank. Por paratë në këtë kartë nuk mund të tërhiqen, por është e detyrueshme që të përdoren vetëm për të blerë ushqime.
Nuk mbaron këtu, pasi sipas marrëveshjes, kjo kartë do të përdoret vetëm në supermarketet SPAR, ndërkohë që nuk do të lejohet blerja e cigareve dhe alkoolit.
Pra, nëpërmjet një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe SPAR, mijëra efektivë policie janë të detyruar që lekët që iu përkasin sipas ligjit, duhet t’i shpenzojnë vetëm në supermarketet SPAR dhe nuk mund t’i shpenzojnë për ndonjë problem që mund të kenë.
Për t’u veçuar është fakti se Tirana Bank që merret me kartat bankare, por edhe rrjeti i supermarketeve SPAR, janë pjesë e BALFIN GROUP, pra kanë të njëjtin pronar, biznesmenin Samir Mane.
Ndërkohë, Media Ditari kontaktoi me Balfin Group, të cilët u shprehën se janë të parët që iu përgjigjën thirrjes së Ministrisë, por nuk do të jenë vetëm, psi do të ketë edhe banka dhe supermarkete të tjera që do të bëhen pjesë.
Gjithashtu, ne kontaktuam edhe me disa punonjës policie dhe kërkuam mendimin e tyre për këtë çështje. Ata shprehën pakënaqësinë dhe e cilësuan tallje këtë vendim të Ministrisë, pasi sipas tyre, kjo metodë i ngjan shpërndarjes së tollonave në kohën e komunizmit.
Epo, në një kohë kur vendimet qeveritare i ngjasojnë atyre të diktaturës dhe ku çdo vendim merret vetëm nga një person, ku toka u merret fermerëve dhe u jepet oligarkëve, ku rrogat u rriten politikanëve dhe taksat u rriten të varfërve, shpërndarja e tollonave për policët tregon se jemi edhe një hap më afër rikthimit të monizmit.