Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, u arrestua ditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi akuzohet për veprat penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje; “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Së bashku me të, ra në pranga edhe bashkëpunëtori Ahmet Masha. Ndërkohë, sot kanë dalë detaje të reja nga arrestimi i tij, teksa mësohet se ai ka qenë përdorues i aplikacionit “SKY”, ku mbante komunikim me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Jurgis Çyrbja ka ndihmuar duke e strehuar në banesën e tij dhe në banesa të tjera Altin Hajrin, të shumëkërkuarin e drejtësisë për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës.
Për këtë nder që i bëri Hajrit, ka përfituar edhe futjen në listën e sigurt të deputetëve të Partisë Socialiste në Durrës. Sipas dosjes hetimore, Plaurent Dervishaj dhe Mond Çekiçi, i vrarë në Durrës, kanë biseda mes njëri-tjetrit për ta futur Çyrbjan në listën e PS-së për deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021, të tretin dhe jo të pestin siç ishte parashikuar.
Kujtojmë se Jurgis Çyrbja la mandatin e dpeutetit disa ditë më parë, pasi u mor në pyetje për herë të parë nga prokurorët e SPAK. Ai nuk pranoi të fliste për mediat, por me sa duket, e ka përgatitur arrestimin e tij, duke dalë nga Partia Socialsite.
Por bisedat mes anëtarëve të grupeve kriminale për ta futur atë në listën e sigurt të PS-së, do të duhet të hetohen më shumë nga SPAK, pasi kjo tregon lidhjen e partisë në pushtet me krimin e organizuar.