Nga Amfora.al
Pezullimi i përkohshëm për Shqipërinë i programit për bujqësinë IPARD II, pas dyshimeve të Bashkimit Evropian për korrupsion, është vetëm maja e ajsbergut të paketës së granteve 94.6 milionë euro. Programi u kthye në një “klub ekskluziv” për kompanitë e mëdha dhe ato të lidhura me politikën dhe krimin. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut programi ekspozoi lidhje të ngjashme, por sporadike dhe më minimale krahasur me Shqipërinë.
Preng Doda, një agronom në pension, i kalon ditët duke u endur në vreshtin e familjes në Fshatin Tenë, të Mirditës. Një mulli i improvizuar uji, është i vetmi që lëviz në fermë, mbi një liqen të vogël artificial që Doda ka krijuar pranë kullës shekullore të familjes.
Megjithëse e do zakoni që mikun ta shohësh në sy, Prenga e ka pothuajse të pamundur të përqendrohet. Teksa flet shumicën e kohës e kthen kokën nga një karabina, që me sa duket “i ka rrëmbyer zemrën” në pleqëri.
Prej 15 vitesh familjarisht merren me kultimin e vreshtit dhe kanë disa varietete përmes të cilave prodhojnë verë. Përbri 2 hektarëve me vreshta ka ngritur një karabina në bodrumin e së cilës përmes enëve të vjetra tashmë, prodhon verë që shpërndahet në zonë.
“Kantinën e ngrita me forcat e mia, pastaj bëra një aplikim tek AZHBR-ja, tek IPARD-i, që të merrja pak ndihmë dhe përkrahje, sidomos për enët ruajtëse të verës dhe pajisjet brenda”, tregoi Doda.
“Hartimin e projektit e bëra me disa inxhinierë dhe me disa sepcialistë, por kriterët ishin shumë të vështira për ta realizuar”, shtoi burri.
Fermerët në Shqipëri dhe në rajon, si në rastin e Maqedonisë së Veriut, prej disa vitesh kanë një mundësi të artë, për të aplikuar për mbështetje përmes fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë, me synim përgatitjen për anëtarësimin e plotë në BE të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Por të dhënat tregojnë se IPARD në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut është kthyer në një burim fuqizimi për kompanitë e mëdha dhe nuk po ndikon në mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve dhe blegtorëve, për të cilët programi duket gjithmonë e më i largët.
Në vitin 2018 Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri, u akreditua për Programin IPARD II, për të shpërndarë grante përmes buxhetit me vlerë 94.6 milionë euro, prej të cilave 71 milionë euro janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë kontribut kombëtar nga shteti shqiptar.
Në Maqedoninë e Veriut IPARD II kishte një buxhet 80 milionë euro dhe deri në maj të vitit 2023 janë shpenzuar 49.2 milionë euro. Pjesa më e madhe e fondeve të mbetura tashmë janë të kontraktuara, por ende nuk janë paguar përfituesit për arsye të ndryshme.
Por teksa Shqipëria priste të niste këtë vit fazën e tretë të programit, Komisioni Evropian mori një masë ekstreme dhe vendosi pezullimin e përkohshëm të programit të mbështetjes së bujqësisë, bazuar në dyshimet se ka pasur korrupsion në shpërndarjen e granteve, referuar nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
Nëse dyshimet vërtetohen, Shqipëria rrezikon të mos e vijojë më fazën tjetër të IPARD, që parashikon grante deri në 146 milion euro, ndërsa nga analizimi i përfituesve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ekspozohen lidhje me politikën, administratën publike dhe krimin.
Në Shqipëri nga një kampion i analizuar prej 126 përfituesish (nga 510 përfitues në total), të cilët vetë AZHBR i ka promovuar përmes një broshure në internet dhe në faqen e saj, rezultojnë persona me rekorde kriminale, të lidhur me politikën, biznese jo tërësisht funksionale dhe skema familjare përfitimi.
Zbatimi i programit të mbështetjes së fermerëve në Shqipëri u realizua nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), pjesë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe grantet financoheshin 75% nga fondet e BE-së dhe 25% nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
Gjithashtu në Maqedoninë e Veriut skema është e ngjashme. Agjencia për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i shpërndau fondet e IPARD II me mbështetjen e BE-së, që ofroi 80% të mbështetjes dhe Buxhetit të Shtetit, që ofroi 20%.
“Foshnjet IPARD“
Fazat e para të IPARD për të dyja vendet ishin eksperimentale dhe tërhoqën pak aplikime, ndërsa thirrjet e fazës së dytë tërhoqën një numër të lartë propozimesh dhe shumë prej tyre u shpallën fitues.
Në Shqipëri zbatimi i fazës së dytë të programit solli lindjen e shumë bizneseve që aplikuan dhe përfituan nga programi, pavarësisht se ishin të sapokrijuar apo kishin historik të dyshimtë, me ndërprerjen e shpeshtë të aktivitetit ekonomik dhe sekuestrime të hërëpashershme.
Media Amfora analizoi një kampion me 126 biznese që përfituan nga Programi IPARD II në Shqipëri dhe rezultoi se në vitet që ai nisi zbatimin tërhoqi pas vetes aplikime nga kompani dhe persona “që e zbuluan vonë pasionin për bujqësinë”.
50 biznese që përfituan nga fondet IPARD, nga 126 subjekte të analizuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezultoi se janë regjistruar për herë të parë në vitet e nisjes së programit, 2018-2021, duke pasur si subjekt tregtar fushat që mbështet programi.
“Mendoj se kjo flet qartë për klientelizëm në përcaktimin e përfituesve, të cilët në shumë raste nuk kanë lidhje të forta dhe të qëndrueshme me aktivitetin bujqësor apo agro-industrial”, komentoi eksperti i politikave bujqësore, Prof. Dr. Ndoc Fasllia.
“Por thjesht në saj të njohjeve personale dhe lidhjeve me nivelet e larta të politikës dhe administratës, kanë arritur të përfitojnë mbështetje nga ky program”, shtoi Fasllia, njëkohësisht pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Elvis Rroshi e drejtoi Bashkinë e Kavajës nga viti 2011 deri në vitin 2016, kur ju ndërpre mandati për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit dhe fshehjes së një dënimi nga drejtësia në Itali, për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995. Më pas ai u dënua nga Gjykata e Tiranës me 60 orë punë në komunitet, për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.
Kur u largua nga drejtimi i bashkisë, Rroshi duket se zbuloi pasionin e tij për bujqësinë dhe më 5 gusht 2019 themeloi kompaninë, “KAVALJON”, që mendohet se ka qenë emri i vjetër i Kavajës. Ai aplikoi në IPARD dhe fillimisht mori 70.178 euro, për një serrë diellore, projekt që nisi më 4 maj 2021 dhe më vonë mori edhe 180.309 euro, për të nisur më 28 korrik 2021 rikonstruksionin e një godine me qëllim transformimin në bujtinë.
Por pasi mori në total 250.487 euro, “Rroshi u shpall në kërkim nga AZHBR”! Agjencia konfirmoi për Median Amfora se “KAVALJON” është një nga 10 subjektet që i është kërkuar kthimi i fondeve, pasi nuk ka përmbushur kriteret e zbatimit të programit dhe çështja i ka kaluar gjykatës.
Në Maqedoninë e Veriut ne analizuam gjithsej 40 kompani që kanë fituar grante të mëdha nga IPARD I dhe II. Pothuajse të gjitha rezultuan se ishin kompani të themeluara më herët, me një historik dhe që vazhdojnë të punojnë edhe sot. Por ne gjetëm të paktën 2 kompani të mëdha me lidhje politike që fituan grante, megjithëse të dyja kompanitë janë të njohura në sektorin e bujqësisë.
Në vitin 2014 kompania “Kolektivi Bujqësor – Pelagonija”, fitoi mbështetje për subvencione nga IPARD II. Pagesa prej rreth 240 mijë euro erdhi një vit më vonë, në 2015-ën. Pronari i “Pelagonija”, Jordan Kamçev, kishte marrëdhënie të ngushta me qeverinë e asaj kohe. Së fundmi ai u shpall nga Departamenti i Amerikan i Shtetit si, “i përfshirë në korrupsion, duke përfshirë ryshfetin e një zyrtari qeveritar” dhe u sanksionua nga SHBA-ja.
Ndërsa kompania “Trgoprodukt” aplikoi në vitin 2019 dhe fitoi një kontratë për mbështetje nga IPARD II dhe pagesa e grantit prej 1.4 milion euro ju bë përfundimisht në prill të vitit 2022. Në pjesën më të madhe të kësaj periudhe, kryeministër i Maqedonisë së Veriut ishte Zoran Zaev, kushëriri i parë i Boban Zaev, pronarit të kompanisë “Trgoprodukt”.
Në Shqipëri, Libonike Nurellari është një ish-anëtare e Këshillit Bashkiak Poliçan për Partinë Demokratike, e cila që prej vitit 2006 merret me vreshtarinë dhe tregtimin e verës. Në Programin IPARD ajo mban rekordin e granteve të përfituara, me 4 projekte të mbështetura, me vlerë totale 383.185 euro.
“Lidhje për sa i përket nepotizmit apo të funksionarëve të ndryshëm shtetërore ka, ndërsa për sa i përket krimit të organizuar, ka qenë vetëm rasti i Iceneratorit të Tiranës, që nxirrte se administratori i saj ishte njëkohësisht përfituesi i një serre”, tregoi, Ervin Resuli, presidenti i “Shoqatës së Mbrojtjes së Prodhuesve Vendor”.
Mollasi është një prej fshatrave të Skraparit, të cilit IPARD i akordoi 4 grante, me vlerë gati 1 milion euro. Edhe këtu bizneset që përfituan u themeluan në periudhën e nisjes së programit dhe në rastin e kompanisë “Green Revolution”, ajo fitoi 2 herë mbështetje për mbarështimin e kafshëve në fermë, me shumën totale 581.939 euro.
Ndërsa 2 fituesit e tjerë në dukje të ndryshëm, janë pjesë e një skeme përfitimi familjare. 23 vjeçarja Brisilda Xhaferri, nga kampioni i verifikuar me 126 përfitues, mori grantin më të madh, të paktën trefish më shumë se çdo bletërritës tjetër.
Kompania “GOLDEN BEES” sh.p.k (ish-“BLETA E ARTË”) u themelua nga babai i saj në tetor 2018, Apostol Xhaferri, një ndërtues që prej vitit 2005 dhe pas disa modifikimeve të emrit dhe të adresës, 23 vjeçarja që u bë administratorja e kompanisë mori një grant me vlerë 157.624 euro, për “Investim në bletari, shtim të numrit të koshereve, prodhim tregtim mjalti dhe produkte të bletarisë”.
Pas tërheqjes nga kompania që krijoi, babai i saj vijoi i vetëm ëndërrën e IPARD. Ndërtuesi themeloi më 24 shkurt 2022 një tjetër kompani, por kësaj here si “Person Fizik”, të fokusuar tek agroturizmi. Megjithëse ende në hapat e para edhe ai mori nga IPARD 183.870 euro dhe e lidhi kontratën më 4 maj 2023.
Në këtë rast babë e bijë morën nga IPARD 341,494 euro përmes kompanive të krijuara rishtazi. Ndërsa objektivat e Programit IPARD dhe të donatorëve janë për të nxitur konkurrencën dhe maksimalizimin e shpërndarjes së granteve. Por duket se shumë subjekte me dhe pa eksperiencë në bujqësi, kanë marrë “abonenë” e IPARD-it.
Nga kampioni i analizuar me 126 përfitues, rezulton se të paktën 18 subjekte kanë përfituar mbi 2 herë grante nga IPARD II në Shqipëri, ndër to ka pasur edhe përfitues të dy projekteve brenda të njëjtës thirrje.
Ekspertët vendas vlerësojnë së mbështetja e bizneseve të reja është e rëndësishme, por duke ruajtur një raport i cili mban në fokus zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë, bazuar në eksperiencën e tyre.
“Mbështetja e bizneseve të reja ose ‘start-up’-eve është një risi pozitive për një përthithshmëri më të lartë të fondeve të IPARD-it, nga fermerë apo blegtorë të rinj”, analizoi Ilir Pilku, një nga 3 ekspertët e certifikuar nga BE-ja në Shqipëri, për “Politikat e Përbashkëta Evropiane”.
Sipas tij në këtë numër ka ndikuar edhe regjistrimi i femerëve që kishin vetëm “NIPT fermeri” dhe nuk kishin hapur më herët një subjekt tregtar, në format si “Person Fizik” apo “Kompani”.
AZHBR-ja bëri me dije zyrtarisht për Median Amfora se nga Programi IPARD II kanë përfituar grante 540 subjekte të shpërndara në katër thirrje, pavarësisht se në të dhënat e publikuara në faqen e internetit [databaza në formatin “Excel” për secilën thirrje] ata kanë raportuar 30 kontrata më pak, pra në total 510 përfitues.
“Theksojmë se Administrata Tatimore ka të regjistruar ndër vite si Prodhues Bujqësor (Fermer) 92.174 individë, duke sqaruar se këta janë regjistruar direkt në AT vetëm për NIPT dhe nuk paguajnë detyrime tatimore”, sqaroi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për numrin e fermerëve që numëron Shqipëria.
“Pjesa dërrmuese e fituesve tek IPARD-i janë ‘start-up’-et dhe nga fermerët që sot numërohen me NIPT pranë tatimeve, është një numër jo fort i këndshëm të cilët arrijnë të aplikojnë tek IPARD-i”, konstatoi presidenti i “Shoqatës së Mbrojtjes së Prodhuesve Vendor”, Ervin Resuli.
AZHBR bëri me dije se në kuadër të Programit IPARD II deri më tani ka hapur 8 procese gjyqësore për kthimin e shumës së përfituar nga subjektet që kanë marrë parapagesë për realizimin e investimit, por që nuk e kanë realizuar brenda afateve të përcaktuara në kontratë ose raste abuzive që janë sugjeruar nga auditimi.
Nga 10 subjekte që ju kërkua kthimi i shumës, 8 nuk ju bindën AZHBR-së dhe ajo i ka dërguar në gjyq sipas radhës, “Aldo Jakupi PF” [Person Fizik], “Fiqiri Sinani PF”, “Mirjan Allka PF”, “Kavaljon SHPK”, “Abas Pere SHPK”, “Vasillaq Xhufka PF”, “Coast to Coast SHPK” dhe “Lorag SHPK”, që përfituan në total së bashku 1.145.760 euro.
Kthimin e fondeve e kanë bërë vetëm “Alb Berati SHPK”, i cili nuk u identifikua dot nga ne në listat e projekteve të AZHBR-së dhe “Altin Gega PF”, që kishte përfituar grantin 14.916 euro.
Në Maqedoninë e Veriut në vitet 2015-2022, janë konstatuar 17 parregullsi dhe për të gjitha janë ndërmarrë procedura specifike. Qeveria dhe Prokuroria Publike nuk zbuluan rezultatet dhe subjektet e përfshira në “procedura”. Megjithatë në mënyrë të pavarur ne gjetëm për IPARD-in 15 padi civile, të cilat kishin përfunduar me vendime gjyqësore të shkallës së dytë.
Në 11 raste, kompani apo individë kishin ngritur padi kundër Agjencisë për shkak të pezullimit nga ajo të projekt-marrëveshjeve si pasojë e parregullsive të ndryshme, përfshirë blerjen e pajisjeve të përdorura, të deklaruara si të reja. Gjykata i dha të drejtë Agjencisë në të gjitha rastet.
“Të pasurit” e sektorit të varfër
Rigerta Loku është studentja e universitetit prestigjoz të “La Sapienza” në Romë, e cila pasi përfundoi studimet për shkenca politike dhe u specializua për marrëdhëniet ndërkombëtare, bëri bujë kur së bashku me bashkëshortin u kthyen nga Italia për të hapur një fermë.
Bashkëshorti i saj, Leonardi, përfundoi studimet e larta për zooteknikë që t’i vinte në ndihmë fermës sepse të dy ja nisën nga fillimi 12 vite më parë, pa pasur asnjë informacion për blegtorinë, por vetëm pasionin. Sot ata jetojnë së bashku me dy vajzat në fermën e ngritur mbi një kodër piktoreske të fshatit Rrushkull, në Mirditë.
“Ne kemi një fermë blegtorale, ku mbarështojmë dhi të rracës autoktone shqiptare”, rrëfeu Rigerta Loku, pak pasi kishte futur tufën në stallë. “Në përgjithësi e gjithë zona apo fermat e vogla si unë, vuajmë për pajisje bujqësore, për traktorë”, shtoi ajo.
Nga kampioni me 126 përfitues, vetëm 20 prej tyre lidheshin drejtpërdrejtë me fermerët e vegjël, duke i ofruar një traktor, në vlera që varionin nga 15 mijë deri në 50 mijë euro. IPARD-i i dha mundësinë kompanive me bilance në disa miliona euro që të eksperimentonin në fushën e bujqësisë, megjithëse nuk kishin asnjë eksperiencë të ngjashme më parë.
“Company Riviera 2008” sh.p.k u themelua në vitin 2008 nga Familja Kola, duke pësuar një rritje të shpejtë të kurbës së të ardhurave pas vitit 2013-të, me ardhjen e socialistëve në pushtet. Vetëm për vitin 2022 ajo regjistroi 5.1 milion euro xhiro.
Të profilizuar në fushën e ndërtimit, vitet e fundit projektet e rindërtimit pas tërmetit shtuan përfshirjen e saj në përthithjen e fondeve publike. Kompania numëron në total 63 tendera që ka përfituar nga buxheti i shtetit, kryesisht nga bashkitë në të gjithë vendin. Ajo arriti të fitonte e vetme 36 tendera dhe 31 tendera i fitoi së bashku me kompani të tjera.
Pa eksperiencë të spikatur në fushën e bujqësisë, ajo i propozoi AZHBR-së ngritjen e një magazine për grumbullimin dhe seleksionimin e fruta-perimeve, me 13 dhoma frigoriferike. IPARD-i i erdhi në ndihmë me 50% të investimit, duke i ofruar 810.469 euro.
Por teksa kompania vijon marrjen e parave nga IPARD-i, për të dytën herë në historikun e saj pas vitit 2014, aksioneve të kompanisë ju vendos sekuestro preventive më 13 shkurt të vitit 2023, deri sa ajo shleu detyrimin ndaj një kompanie tjetër që kishte kërkuar ndërhyrjen e përmbarimit.
“Nga të dhënat e sigurura indirekt për ‘përfituesit e mëdhenj’, rezulton se mbi 50% e tyre kanë si aktivitet bazë ndërtimin, transportin, energjinë etj. dhe nuk kanë patur asnjë lidhje me prodhimin bujqësor”, analizoi për Median Amfora, eksperti i politikave bujqësore, Prof. Dr. Ndoc Fasllia.
Si dy pika uji ngjason edhe kompania “KRONOS KONSTRUKSION” sh.p.k., e cila dërgoi tek AZHBR-ja projekt-idenë për të ndërtuar një “magazinë për përpunimin e fruta-perimeve” në Maminas dhe mundi të merrte një mbështetje në shumën 721.558 euro.
Edhe kjo kompani është fituese e 51 tenderave publike, e vetme ose në bashkëpunim dhe ndërsa merrte pagesat e IPARD-it, ajo kishte kaluar disa sekuestro preventive, e fundit prej të cilave u hoq në vitin 2020, deri sa shleu detyrimet e gjobës ndaj Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
“Kompania merret në fakt me ndërtime, me akuakulturë, para 3 vitesh i është futur edhe sektorit të bujqësisë dhe ne e kemi mirëpritur”, i shpjegoi ish-drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, kryeministrit Edi Rama, teksa po e inspektonin investimin më 25 janar 2021.
Kur kryeministri Rama e vizitoi për herë të dytë investimin e përfunduar, më 18 maj 2022, përfaqësuesi i kompanisë i tha kryeministrit për një ambient me banak, tavolina dhe karrige, se:
“Njerëzit që punojnë këtu, njerëzit që do të rrinë jashtë me maune [kamionë], i kemi krijuar mundësinë që edhe të hanë edhe lart të rrijnë, të flejnë”.
“Kjo është mensa e punëtorëve?!”, pyeti kryeministri Rama i habitur.
“Mensa e punëtorëve”, i konfirmoi përfaqësuesi i kompanisë.
“Kjo është mensa më e mirë që kam parë, nuk kisha parë ndonjëherë mensë më të mirë”, u shpreh i habitur në takim edhe i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Alexis Hupin.
Por “mensa” rezulton se është një ambient shërbimi në ndërtesën që është një trup me magazinën që mbështeti BE-ja. Të vetmit punëtorë të kompanisë që gjenden në “mensë”, nuk janë fermerët apo magazinierët, por kamarierët që shërbejnë ushqimin e gatuar.
“Akomodimi në hotelit tonë, shoqëruar me kuzhinën tradicionale dhe atë moderne, do t’ju dhurojë një eksperiencë të paharrueshme!”, shkruan një nga postimet në faqen në “Facebook”, Kronos Agroturizëm.
“Kronos Agroturizëm”, emri me të cilin promovohet në mediat sociale, rezulton si ambient [gjurmë] që do të ndërtohej edhe në projektin që përfaqësuesi i kompanisë i prezantoi kryeministrit të vendit në janar 2021.
Në udhëzuesin e miratuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare, janë përcaktuar disa kritere për mënyrën e funksionimit të bizneseve të paktën 5 vite nga pagesa e fundit e AZHBR-së dhe ndër to përcaktohet se nuk lejohet tjetërsimi i financimit për këtë periudhë kohe.
Ndryshe nga këtu, në Maqedoninë e Veriut nga verifikimi i 40 kompanive, të cilat ishin përfitueset e projekteve më të mëdha të IPARD I dhe II, të gjitha punojnë në sektorin e bujqësisë. Në pamje të parë duket se Agjencia këtu është më e prirur drejt mbështetjes së fermerëve të vegjël.
Gjithsej nga 1117 projektet e mbështetura nga IPARD I, 82.2% janë paraqitur nga “persona fizikë” ose “fermerë individualë”, ndërsa gjatë IPARD II këto kategori përsuan rritje dhe përbëjnë 84.1% të të gjitha projekteve të miratuara. Por situata ndryshon kur analizohet vlera e përfitimit financiar të këtyre projekteve.
Në programin IPARD I, 20 projektet më të financuara iu dhanë “kompanive” dhe këto projekte të marra së bashku kushtuan gjithsej 5.24 milionë euro. Pra vetëm këto 20 projekte përbëjnë 32.8% të të gjithë buxhetit të shpenzuar të fondit IPARD I. Në përgjithësi “kompanitë” dhe “bashkëpunimet bujqësore” morën rreth 60% të buxhetit të shpenzuar për IPARD I, megjithëse ato përbëjnë vetëm 17.8% të numrit total të projekteve të miratuara.
Ky hendek është edhe më i theksuar në IPARD II. 20 grantet kryesore me një vlerë të përbashkët prej 18.6 milionë euro, të gjitha shkuan për “kompanitë”, duke përbërë 37.8% të shumës totale të paguar deri në maj 2023. Në total, nga 49.2 milionë euro të paguara nga IPARD II, gjithsej 78.9% përfunduan në duart e “kompanive” dhe “kooperimeve bujqësore”, megjithëse ato përbëjnë vetëm 15.9% të totalit të projekteve të miratuara.
Megjithatë këto shifra janë më të ulëta krahasuar me kompanitë e mëdha përfituese në Shqipëri dhe teksa në Maqedoninë e Veriut u analiza programi në fazën e parë dhe të dytë, në Shqipëri u ndalëm vetëm tek faza e dytë, që shfaqi shumë fenomene të parregullta.
Në Shqipëri kompanitë kryesore të përpunimit të qumështit, pikat e grumbullimit dhe thertoret kanë përfituar pothuajse të gjitha. Kompania “Erzeni sh.p.k”, e profilizuar në përpunimin dhe ambalazhimin e qumështit, përfitoi 924.244 euro, ndërsa kompania tjetër e sektorit, “Lufra”, përfitoi 799.737 euro.
Në fushën e sallamerisë kompania “FIX PRO” përfitoi 741.896 euro, ndërsa kompania “TONA-AL” përfitoi 381.684 euro. Por kalimi i fokusit tek kompanitë prodhuese të sektorit dhe lënia pas dore e fermerit që prodhon lëndën e parë, po nxit gjithnjë e më shumë nevojën e importeve.
“Pjesën dërrmuese ose ‘pjesën e luanit’ më shumë e ka përthithur agro-industria, pra pikat e grumbullimit, fabrikat e përpunimit të qumështit”, analizoi Ervin Resuli, ekspert i bujqësisë.
Ai tregoi se gati 95% e qumështit të prodhuar në vend vjen nga fermat e vogla dhe kjo kategori fermerësh e ka të vështirë të përfshihet në Programin IPARD, duke mos e zhvilluar kështu sektorin e prodhimit të lëndës së parë.
“Ka bërë që ta lejë fermerin jashtë objektivit, pra fermeri nuk është rritur i barabartë me industrinë e përpunimit të qumështit dhe kjo ka bërë që të krijohet një hendek, nevojë për lëndë të parë”, rrëfeu Resuli.
Me sytë nga qielli
Në bujqësi shprehja “me sytë nga qielli” merr kuptim më shumë se askund. Fermerët dhe blegtorët në rajonin e Ballkanit për shkak të prapambetjes infrastrukturore përballen me sakrifica për rritjen e fruta-perimeve dhe përkujdesjen për bagëtitë. Teksa edhe IPARD për ata duket diku lart dhe larg, “në qiell”.
Familja Gjurchinovski, nga fshati Tumçevisht pranë Gostivarit në Maqedoninë e Veriut, kultivon rreth 30 hektarë tokë, pjesërisht në pronësi të saj dhe pjesërisht të marrë me qira. Sipërmarrja e tyre e fundit është një plantacion lajthie prej 8 hektarësh.
Deri më sot e vetmja mbështetje për prodhimin dhe makineritë ka qenë nga qeveria, ndërsa Programi IPARD mbetet një mundësi që shndërrin, por duket e paarritshme. Zhivka Gjurchinovska tregoi se u përpoq dhe nuk arriti që të siguronte një grant të mundësuar përmes Bashkimit Evropian.
“Epo, përfituesi i mbështetur nga Programi IPARD duhet të investojë shumën e plotë për t’iu kthyer fondet më pas. Sa i përket prodhuesve dhe pronave të vogla, kjo është pak më e vështirë”, tregoi fermerja.
“Veçanërisht, është e vështirë të investosh paraprakisht”, theksoi ajo sepse shpesh herë duhet shumë kohë nga momenti i aplikimit për fondet IPARD, deri në momentin e rimbursimit.
Megjithëse nuk duhet të ketë një vonesë më të gjatë se 36 muaj, nga analiza e të dhënave të marra nga Agjencia për Mbështetjen e Bujqësisë, një përfitues ka pritur të paktën 2048 ditë nga momenti i aplikimit deri në marrjen e pagesës.
Nikola Tasevski aplikoi për thirrjen e parë dhe i mori 14.222 eurot vetëm në shkurt të këtij viti, pra 5 vite e gjysmë me vonesë. Ndërsa në IPARD II janë 48 përfitues që kanë pritur më shumë se maksimumi i mundshëm, 36 muaj.
“Këto afate janë shumë të gjata për fermerët e vegjël”, analizoi Liljana Jonoski, drejtoreshë ekzekutive e Organizatës Jo-Qeveritare, Koalicioni Rural. “Sidomos pasi iu duhet kohë dhe para për të mbledhur të gjitha dokumentet, të cilat jo gjithmonë dijnë t’i mbledhin vetë”, shtoi ajo.
“Me inflacionin pas luftës ruso-ukrainase dhe krizën e Covid-19, makineritë dhe pajisjet u rritën në çmim, prandaj shumë investime u shtynë ose u anuluan”, tregoi Nikica Bachovski, drejtori i Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Maqedoninë e Veriut.
Statistikat tregojnë se fermerët në Maqedoninë e Veriut fitojnë një numër të madh projektesh nga IPARD II, por ata kufizohen nga kapacitetet e tyre. Projektet e tyre janë grante të vogla sepse ata aplikojnë në shumicën e rasteve për nevojat elementare, si traktor dhe pajisje të ngjashme.
Ndërsa në Shqipëri fermerët gjithashtu tregojnë se plotësimi i dokumentacionit është një procedurë që kërkon një fermer dhe blegtor të mirë arsimuar dhe nevojitet marrja e shërbimeve të konsulencës, duke e bërë kusht pasjen e një fondi paraprak për të përgatitur dosjen e aplikimit.
“Më mori një kohë 6 mujore përgatitja e dosjes, me të gjitha pikat që kishte përcaktuar udhëzuesi për aplikim”, tregoi për Median Amfora, Romeo Nazarko.
“Më ka shkuar deri më tani rreth 20 mijë euro dosja, që janë qiraja e tokës, projektet, lëvizjet”, tregoi ai.
43 vjeçari është me profesion inxhinier gjeodet dhe punon gjithashtu si ekspert pronash në Tiranë. Ai ka mundur që të shmangi një pjesë të kostove duke i realizuar vetë, ndërsa fermerët e zakonshëm e kanë të pamundur të investojnë shuma të tilla për përgatitjen e projekt-ideve që mund të refuzohen.
“Aplikantët nuk ndihmohen në mënyrë aktive për plotësimin e dokumentacionit nga nëpunësit e AZHBR. Ato mund të ndihmohen nga konsulentë privatë (PF/SHPK), shpenzime të cilat janë si zë i pranueshëm për rimbursim sipas udhëzimit”, u përgjigj zyrtarisht agjencia në Shqipëri.
“Fermeri se paguan dot dhe s’është i sigurt që e merr projektin”, rrëfeu Preng Doda. Agronomi në pension tregoi se mund të ketë pasur mangësi në dokumentacionin e dorëzuar për grantin IPARD dhe përgatitja e planit të biznesit sipas tij duhej bërë nga një specialist që të paguhej, por të cilën ai nuk mundej ta realizonte paraprakisht.
“Moria e madhe e dokumentacionit dhe moria e madhe e njerëzve që ti ke të bësh për të plotësuar këtë dokumentacion nëpër zyra, ta vështirëson edhe më tepër këtë punë”, tregoi blegtorja Rigerta Loku.
“Unë kam arsimin e lartë, bashkëshorti im ka arsimin e lartë dhe ne vitin që shkoi nuk arritëm që ta përfundojmë apo që t’i vihemi në krye këtij procesi”, shtoi Loku.
Ekspertët tregojnë se këto janë kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe që duhen respektuar, por në kontekstin shqiptar ata rendisin disa elementë lokal që duhen përmirësuar për të afruar fermerët me grantet.
Për ekspertin e ekonomisë bujqësore Ilir Pilku, fermerët duke mos pasur mundësi të kontraktojnë një studio konsulence, në disa raste në aplikimet për leje ndërtimi nuk kanë plotësuar kriteret dhe prandaj duhen lehtësi në këtë pikë dhe në mungesat e dokumentacionit që lidhet me sigurimet shoqërore të papaguara apo dokumente të ngjashme.
“Disponibiliteti i ulët nga sistemi bankar për të financuar aktivitetin në fermë, qoftë edhe në rastet kur fermeri ka paraqitur kontratën e IPARD-it”, nënvizoi Pilku, njëkohësisht konsulent në fushën e bujqësisë.
Për ekspertin tjetër të politikave bujqësore, Ndoc Fasllia, problem mbeten kriteret për madhësinë e fermave dhe mungesa e certifikatave të pronësisë mbi tokën bujqësore, të cilat duhet të marrin një trajtim më specifik sipas kontekstit të fermerit shqiptar.
Nga Programi IPARD II në Shqipëri, rezutlon se kanë përfituar subjekte që e ushtrojnë aktivitetin në 50 bashki, nga 61 bashki që ka vendi. Në territorin e kryeqytetit ku është përqendruar industria e lehtë, listën e kryeson Bashkia e Tiranës me 73 grante.
Tirana ndiqet nga bashkitë Fier dhe Korçë, me 63 dhe 51 grante secila. Ndërsa 75% e granteve (384 nga 510 grante të fituara) janë marrë nga 14 bashki.
Gangrena e korrupsionit
Inxhinieri Romeno Nazarko a pa veten përpara hetuesve të OLAF disa kohë pasi kishte nisur rrugëtimin drejt ëndërrës së tij, për të mbjellë drurë arrorë në vendlindje, Ersekë.
“Projekt-ideja ime ishtë krijimi i një pemtoreje në rrethin e Kolonjës, në një tokë që unë e kisha marrë me qira për 99 vite, për një sipërfaqe rreth 130 dnym”, tregoi Nazarko.
Pasi 43 vjeçari dorëzoi dosjen e aplikimit në AZHBR në korrik të vitit 2020, nisi një “ping-pong” për plotësimin e kërkesave të njëpasnjëshme të agjencisë.
“Numri i madh i pikave të bënte të mendoje që do e kishe të pamundur sepse koha për t’i plotësuar ishte 15 ditë. Në vendet si Shqipëria që duhet të vish vërdallë për një shkresë, duhej të plotësoje 21 shkresa për 25 ditë, gjë që ishte psikologjikisht e pamundur”, kujtoi inxhinieri.
Në analizimin e thirrjeve të IPARD II, zbuluam se ka një shkurtim të periudhës në dispozicion për të aplikuar, nga 2 muaj gjatë thirrjes së parë, në mesatarisht 45 ditë në tre thirrjet pasardhëse, duke vështirësuar mundësinë e aplikimit nga fermerët e thjeshtë.
Pasi Nazarko ndërpreu çdo angazhim profesional dhe familjar, mundi t’i mblidhte dokumentet shtesë dhe i dorëzoi ato në kohë. Megjithatë kërkesa e agjencisë për një kontratë qiraje nga ortaku i Nazarkos, duket se e bllokoi procesin e aplikimit, për të cilin inxhinieri tregoi se u ankua në të gjitha institucionet përgjegjëse.
“Ata kërkonin një nënkontratë nënqiraje nga bashkëpronari im, që ishte pa kuptim pasi unë kisha kontratën e qirasë nga Bashkia Kolonjë dhe s’kam të drejtë ta jap me nënqira”, kujtoi ai, duke shtuar se kjo ishte një tentativë “për ta futur në kurth” sepse kjo lloj kontrate është e paligjshme.
E vetmja shpresë për të mbeti zyra e OLAF-it në Bruksel, me të cilën u lidh përmes aplikacionit “Skype” më 4 maj 2021, duke parashtruar pretendimet e tij.
Të intervistuarit nga ne treguan se ka studio konsulence të cilat nuk ofrojnë vetëm shërbimin e tyre legal, por kanë edhe marrëdhënie korruptive me AZHBR-në, përmes të cilave arrijnë që të finalizojnë marrjen e granteve.
“Nga njerëz të cilët kanë aplikuar, është vetë institucioni [studiot e konsulencës] që e gjen karremin, sekserin brenda institucionit përkatës [AZHBR], mjafton që fermeri të ketë idenë e biznesit, sa lekë do të hedhi dhe t’i paguajë tarifat agjencisë [studio e konsulencës] dhe është ajo e cila merret me të gjithë procedurën”, shpjegoi blegtorja Rigerta Loku.
“Nuk është përqindje e vogël, është 30-40% [e grantit], biles kanë edhe skemën se si ta marrin”, tregoi Romeo Nazarko, i cili aplikoi pa sukses në IPARD II.
“Çdo fermer që aplikon nuk ka 30-40% bakshish ‘cash’ që t’i japi në dorë, por ata të fusin në ca historia brankare, të fusin në kredi me institucionet bankare”, shpjegoi ai.
“Vjen një pikë që fermeri dorëzohet, i dorëzohet sistemit, i dorëzohet korrupsionit, i dorëzohet gjërave të paligjshme sepse këtu nuk investohet vetëm fuqia monteare që ne kemi, por jeta dhe e ardhmja e fëmijëve dhe e brezave që vijnë”, rrëfeu blegtorja nga Mirdita, Rigerta Loku.
Media Amfora ju drejtua të gjitha prokurorive të vendit, përfshirë gjykata të caktuara dhe nuk gjeti asnjë hetim të nisur drejtpërdrejtë për AZHBR-në, përveç një çështjeje të iniciuar nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), për të cilin prokuroria shqiptare po zhvillon një hetim që zvarritet në kohë dhe nuk ka rezultat.
Pas identifikimit nga ana jonë të këtij rasti dhe “gjurmimit” përmes agjencive ligjzbatuese vendase dhe evropiane, vetëm në maj të këtij viti Prokuroria e Tiranës na bëri me dije se OLAF ka depozituar më herët një kallëzim pranë Prokurorisë së Posaçme.
“…ka regjistruar procedimin penal nr. 7471, të vitit 2022, për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal”, bëri me dije Prokuroria e Tiranës për hetimin që ka nisur.
OLAF e depozitoi kallëzimin fillimisht në Prokurorinë e Posaçme në qershor 2020 dhe dy vjet më vonë ajo shpalli moskompetencën dhe ia përcolli dosjen Prokurorisë së Tiranës, e cila bëri me dije se, “…ky procedim penal vijon ende të jetë në fazën e hetimeve dhe pa emër autori të regjistruar në ngarkim”.
Përmes një përgjigjeje Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) sqaroi se zakonisht nuk jep komente për rastet që mund të trajtojë.
“Kjo për të mbrojtur konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që pasojnë, si edhe për të garantuar respektimin e të dhënave personale dhe të drejtave procedurale”, u përgjigj zyrtarisht zyra e OLAF.
Zyra e BE-së në Tiranë konfirmoi më 19 korrik dyshimet për korrupsion me fondet e saj për bujqësinë shqiptare. OLAF i dorëzoi Komisionit Evropian disa gjetje, të cilat e kanë detyruar Komisionin që të ndërpresë përkohësisht lëvrimin e granteve, deri në marrjen e raportit përfundimtar të hetimit nga OLAF.
“Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, sqaroi zyra e BE-së në Tiranë, për Median Amfora.
Ministrja e bujqësisë dhe zhvillimit rural, Frida Krifca, mbrojti në Kuvendin e Shqipërisë në muajin korrik programin IPARD II, duke i treguar opozitës se akuzat e saj për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian ishin një sulm ndaj sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë.
Ministrja Krifca e ka drejtuar Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në periudhën korrik 2017–shtator 2021, kohë kur u emërua ministre e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Hetimi i BE-së është fokusuar në periudhën që ajo e drejtonte AZHBR-në, që përkon me fazën e parë të programit, në vitet 2014-2020.
Rasti i vetëm në Maqedoninë e Veriut: 200 euro ryshfet
Ishte errur kur më 14 prill të vitit 2014 dy burra u takuan në një restorant afër stacionit hekurudhor në Shkup. Ivica E. dëshironte që të blinte një traktor përmes Programit IPARD dhe takoi paraprakisht Dragan R., një zyrtar në agjencinë për bujqësinë.
Ivica mbante me vete një dosje me dokumentet përkatëse të aplikimit për traktorin. Por përveç saj, ashtu siç i kishte kërkuar më herët Dragani, brenda kishte edhe 200 euro. Policia ndërhyri dhe e arrestoi Draganin pasi ai kishte pranuar dosjen nga Ivica.
Një vit e gjysmë më vonë, Dragan R. u dënua ligjërisht për pranimin e një shpërblimi prej 200 eurosh për ndikim të paligjshëm. Gjykata e Apelit në Shkup e dënoi atë me dy vite me kusht dhe agjencia e shkarkoi nga puna.
“Më duhet të them se ky është një rast i izoluar, kur ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet”, e komentoi rastin, Nikica Bachovski, kreu i Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Maqedoninë e Veriut.
Këtu funksionon edhe “Mekanizmi i raportimit të brendshëm”, i quajtur “IMS”, i cili mban marrëdhënie bashkëpunimi me OLAF. Kreu i auditimit të programeve të BE-së, Adem Curri, pohoi ka ankesa të herëpashershme përmes këtyre kanaleve, si nga Agjencia ashtu edhe nga përfituesit e IPARD-it, por asnjëra nuk ka rezultuar me procedim penal deri më tani.
Pra në historikun e programit në Maqedoninë e Veriut është regjistruar vetëm një ngjarje penale për parregullsi në IPARD, kur një nëpunës civil kërkoi një ryshfet prej 200 eurosh. Por sot nuk flitet për atë që ndodhi në të vërtetë me njoftimet e autoriteteve shtetërore në vitin 2016, se po punohej në dy raste të IPARD-it në bashkëpunim me INTERPOL-in, për dyshimet mbi keqpërdorimin e rreth 200 mijë eurove.
Në atë vit (2016), si edhe në vitin 2014, Maqedonia e Veriut pati periudha të shkurtra të “ngrirjes” jozyrtare të fondeve IPA në përgjithësi. Mos shfrytëzimi i fondeve në dispozicion, mungesa e planifikimit dhe vullneti për reforma u përmendën si arsye për “dënimin”.
Kur kohët e fundit qeveria u vu nën vëzhgim për vërejtjet negative në raportet vjetore të OLAF, autoritetet shpejtuan të njoftonin se po hetonin një rast “të ri”. Vendi u detyrua të kthejë 660 mijë euro pas, për një projekt në Ministrinë e Bujqësisë, por që nuk lidhet drejtpërdrejtë me IPARD. Qeveria aktuale fajësoi paraardhësit për këtë rast dhe anasjelltas, teksa interesi publik u zbeh në ditët në vijim.
Ndërsa në Shqipëri zyrtarisht Komisioni Evropian ka marrë masën drastike të pezullimit të rimbursimeve specifikisht për IPARD II, deri sa të qartësohen rrethanat, duke rrezikuar qe te mos nisi faza e tretë, IPARD III, me vlerë grantesh të parashikuara deri në 146 milionë euro.
Në hetime të tjera në Shqipëri të nisura për mashtrim në emër të fondeve të IPARD-it dhe për pastrim parash, ka indicie indirekte dhe pretendime për ndikim të marrjes së granteve në AZHBR, por në asnjë rast hetimi nuk ka ekspozuar zyrtarët e agjencisë.
Përmes përgjimeve të autoriteteve të Danimarkës, të cilët po ndiqnin një grup shqiptarësh të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës, u zbulua skema e pastrimit të parave në Shqipëri. Jetmir Kastrati, një 42-vjeçar nga Shkodra ishte objektivi i përgjimit që rezultoi se ishte pronari i vërtetë i kompanisë “Rens 2015”, një pulari e hapur në qytetin verior të Shqipërisë.
Në përgjimin ambiental të 14 dhjetorit 2018, Kastrati i tregoi një bashkëpunëtori se si po planifikonte të siguronte subvencionim nga shteti, por për ta realizuar këtë ai duhej të ndante një pjesë “të tortës”.
“Ju nuk mund të merrni asgjë nëse ata nuk marrin pjesën e tyre të tortës dhe nuk mund të bëni asgjë në lidhje me të. Unë vetëm u jap atyre një 50-she dhe i marr 150 deri në 200 [milionë] vetë”, citohet Kastrati në dokumentet gjyqësore.
Megjithëse rasti ekspozoi linjën e korrupsionit në bujqësi, transkripti i mbushur me retiçenca dhe shkëputje, nuk identifikoi personat apo autoritetet që do e ndihmonin Kastratin. Ndërkohë një ish-zyrtare shtetërore, Viola Sterjo, akuzohet për mashtrim dhe përfitime shumash të mëdha financiare, me qëllim ndikimin për marrjen e granteve nga skema e IPARD-it.
Agjencitë shtetërore: Sfida dhe probleme të brendshme
Në Maqedoninë e Veriut drejtuesit e Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pranuan se pagat e punonjësve janë të ulëta dhe një pjesë kanë preferuar që të kalojnë si konsulentë të pavarur, duke fituar 10-20% të të ardhurave të projekteve që shpallen fituese.
Maqedonia e Veriut po negocion me Brukselin që për IPARD III një pjesë e parave nga Programet IPA, të mund të përdoren për rritjen e pagave të stafit të IPA-s, për t’i motivuar ata që të qëndrojnë në Agjenci.
“Maqedonia e Veriut ka një shkallë të ulët të përthithshmërisë të fondeve të IPARD-it, nisur edhe nga fakti që Buxheti i Shtetit alokon një fond shumë të konsiderueshëm për mbështetjen e agro-biznesit, rreth 150 milion euro, që është gati 10 herë më i lartë se fondi i BE-së”, analizoi eksperti Ilir Pilku, i cili ka punuar me projektet ndërkufitare.
“Fondet për mbarështimin e blegtorisë mbeten të pashpenzuara sepse shumë stalla janë ndërtime pa leje. Paratë e BE-së nuk janë në favor të ndërtimeve pa leje”, tregoi Nikica Bachovski, drejtori i Agjencisë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në Shqipëri AZHBR-ja ka në mbështetje 20 agro-pika që shpërndajnë informacion në të gjithë vendin dhe kryeministri Edi Rama ka qenë dorëlëshuar sa herë që janë kërkuar vende të reja pune për strukturën e IPARD brenda agjencisë.
Media Amfora analizoi të gjithë raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në 10 vjeçarin e fundit në AZHBR. Agjencia mori 2 rritje të numrit të punonjësve për IPARD-in në vitet 2019-2020, duke i shtuar strukturës 34 persona të dedikuar.
“Përmirësimin e kapaciteteve njerëzore brenda AZHBR-së, për të rritur procesin e shqyrtimit dhe gjykimit të aplikimeve në kohë, pra kërkohet një ekspertizë më profesionale dhe kryesisht të punonjësve të rinj të punësuar”, sugjeroi eksperti Ilir Pilku.
Sot AZHBR-ja numëron 239 punonjës, ndër ta 74 janë të dedikuar për Programin IPARD. Numri më i vogël i punonjësve është në sektorin e inspektimeve të investimeve. “Sektori i monitorimeve të investimeve IPARD” numëron 1 përgjegjës dhe 4 specialistë, të cilët duhet të monitorojnë 540 subjekte që kanë fituar grante.
Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se të paktën në 3 raste prokurimet e brendshme të AZHBR-së që lidhen me Programin IPARD nuk përmbanin specifikimet teknike dhe ofertat ishin pa data, duke nxitur dyshime sipas KLSH-së për fiktivitet. Gjithashtu punonjësit rezultuan se kishin mangësi në trajnimin për të vlerësuar dhe për të menaxhuar rriskun.
Agjencia e bujqësisë në Shqipëri “fshehu dosjet”
Të dhënat për IPARD II në Maqedoninë e Veriut tregojnë se nga 1726 aplikime të refuzuara në 8 thirrjet publike të viteve 2017-2022, janë bërë gjithsej 34 ankesa. Një situatë krejt e përmbysur me Shqipërinë, ku sipas AZHBR-së për të njëjtën periudhë të zbatimit të programit janë skualifikuar 616 aplikantë dhe janë depozituar 280 ankesa.
Sipas AZHBR-së për programin ka pasur 1189 aplikime, nga të cilat u lidhën 540 kontrata grantesh dhe 33 aplikantë u tërhoqën.
Për 4 muaj publikimi i këtij artikulli u ndërpre pasi nga 13 prilli deri më 28 korrik, Media Amfora kërkoi nga AZHBR-ja përmes Ligjit për të Drejtën e Informimit që të vendoste në dispozicion dosjet e ankesave të aplikantëve, auditimet e brendshme dhe objektet e padive gjyqësore, për programin që përdor paratë e BE-së dhe të Buxhetit të Shtetit.
Agjencia refuzoi kategorikisht, duke cituar marrëveshjen kuadër të qeverisë me BE-në, “për ruajtjen e të dhënave personale”, por pa argumentuar dot dëmin që i shkaktohej shtetit shqiptar apo BE-së nga publikimi i këtyre informacioneve.
Komisioneri për të Drejtën e Infromimit, institucioni që garanton zbatimin e ligjit për informimin, thirri më 21 qershor 2023 në një seance dëgjimore ekipin e gazetarëve dhe përfaqësuesit e AZHBR-së, por edhe pse në tejkalim të afateve ligjore, Komisioneri nuk mori vendim për rastin. Ekipi i gazetarëve ka nisur plotësimin e dokumentacionit për ta referuar rastin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim marrjen e dokumenteve me karakter publik.
“Auditimi nga strukturat shtetërore vendase për menaxhimin e këtyre fondeve ka qenë thuajse inekzistent”, komentoi Prof. Dr. Ndoc Fasllia.
Nga raportet e KLSH-së rezulton se në agjenci sektori i monitorimit të skemave në vitin 2019 ka realizuar 3 rikontrolle “Ex-post” (pas investimit) për programin e parë të IPARD dhe vetëm 1 kontroll “Ex-post” në vitin 2020, për Programin IPARD II, nga i cili kanë përfituar 540 subjekte.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut është ngritur një institucion i posaçëm auditimi dhe monitorimi për fondet e BE-së, “Autoriteti i Auditimit për Auditimin e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit”.
Kreu i saj, Adem Curri, pohoi se gjithmonë rrisku i korrupsionit është i pranishëm. “Megjithatë brenda dhe jashtë Agjencisë është krijuar një sistem i tillë që çdo mundësi për korrupsion është reduktuar në minimum”, tregoi ai për Median Amfora.
Në Shqipëri, Romeo Nazarko megjithëse nuk mori zgjidhje nga Agjencia pas ankesës së tij, po vijon ëndërrën dhe ka mbjellë një pjesë të drurëve arrorë në juglindje vendit, Ersekë. Ndërsa në veri, në Mirditë, Preng Doda dhe familja e tij vijojnë me prodhimin e verës me pajisje të vjetra, pasi “IPARD”-i nuk krijoi një mundësi financimi për nevojat e tyre./ Amfora