Si u “trodhën” ndërkombëtarët! Heshtën për Salianjin, por reaguan menjëherë për disa karrige të djegura

Do të duhej të ishin “siguresa e demokracisë” në Shqipëri, por prej disa vitesh ambasadat e huaja janë shndërruar vetëm në patericë të qeverisë dhe në gijotinë të opozitës.

Arrestimi i deputetit Ervin Salianji ishte një nga ngjarjet më të bujshme në vend gjatë javës së kaluar, pasi u dënua për “kallëzim të rremë” për shkak të një denoncimi publik, që më pas rezultoi se ishte i vërtetë, pasi vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj ishte dënuar nga autoritetet italiane për trafik të lëndëve narkotike.

Pavarësisht të gjithë fakteve, Gjykata e Apelit e dënoi me 1 vit burg, duke i hequr mundësinë të paktën për momentin të kandidojë ehde në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Por, teksa do të ishte shumë i rëndësishëm një opinion i ambasadave të huaja në vendin tonë, diçka e tillë nuk erdhi. Ambasadorët kyçën gojën për rastin Salianji, duke e lënë opozitën të poshtërohej sërish nga qeveria dhe drejtësia që tashmë mund të jetë gjithçka përveçse e pavarur.

Ndërkohë, dy ditë më parë erdhi edhe përgjigja e opozitës, e cila nuk lejoi zhvillimin normal të seancës plenare në Kuvend, ndërsa më pas në shenjë proteste dogji edhe karriget e deputetëve jashtë godinës së Kuvendit.

Nëse në rastin e Salianjit askush prej ambasadave nuk denjoi të bënte një reagim, për djegien e disa karrigeve erdhën reagimet e menjëhershme. I pari e nisi ambasadori i BE, Silvio Gonzato, i cili dënoi protestën e opozitës.

Lexo edhe: Tensionet në Kuvend/ Reagon ambasadori i BE: Eshtë për të ardhur keq, të ndalohet përshkallëzimi

Mendimin e tij e mbështeti edhe ambasada e SHBA, që shprehur shqetësimin e madh për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar, teksa në reagim thuhej se akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik.

Por për cilin proces demokratik flet ambasada e SHBA? Kuvendi ka vite që nuk është më demokratik, pasi jo vetëm që nuk po ushtron funksionin kryesor, atë të kontrollit mbi qeverinë, por është kthyer vetëm në një sallë ku ngrihen kartonë për të shpërndarë fonde te miqtë e pushtetit.

Lexo edhe: Ambasada e SHBA reagon e shqetësuar për incidentet dje në Kuvend

E fundit në reagim ishte ambasada britanike, që u kërkoi të gjitha partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare.

Me sa duket, për ambasadat janë shumë më të vlefshme disa karrige të djegura se sa djega e mandatit të një deputeti që denoncoi publikisht lidhjet e qeverisë me krimin.

Shënim: Presim reagimin e ambasadave përpara protestës së 7 Tetorit, ku u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre të mos dalin sepse do ketë trazira