Me rreth 185 mijë të punësuar, mijëra punonjës të administratës publike detyrohen që të mbushin karriget e takimeve elektorale të partisë së radhës në pushtet, përndryshe rrezikojnë vendin e punës. Ata janë, pikërisht ashtu siç i cilësonte në vitin 2013 Edi Rama, “robër të pushtetit”!
Luljeta Progni
L.K., që shërben prej 30 vitesh si sanitare, i ka “rritur” fëmijët nëpër mitingjet elektorale të partive që kanë drejtuar institucionin ku ajo punon. Ky ishte kushti për ta mbajtur në punë.
“I kam rrit’ fëmijët nëpër sheshe mitingjesh, aq sa ka ndodh’ shpesh që vajza thërriste nëpër shtëpi: “Sali Berisha! Edi Rama!”. Unë qeshja, ç’të bëja?”, – rrëfen në kushtet e anonimatit L. K., e cila prej tri dekadash punon në një institucion të administratës qendrore në Tiranë.
Sanitarja rrëfen se ka qenë e pasigurt për vendin e punës, që kur performanca filloi të matej me pjesëmarrjen në takimet elektorale të partisë në pushtet. Situata për të u vështirësua pranverën e vitit 2013, kur humbi bashkëshortin dhe mbeti e vetme me dy fëmijë të mitur: vajzën 8-muajshe dhe djalin 7 vjeç. Me një pagë minimale prej 22 mijë lekësh, ajo pranon se ka qenë e detyruar shpesh për të marrë pjesë në mitingjet elektorale, që organizonte Partia Demokratike, që ishte në pushtet asokohe.
Shpesh takimet partiake zhvilloheshin pas orarit zyrtar të çerdhes dhe të shkollës, si pasojë detyrohej t`i merrte me vete të dy fëmijët.
“I kam marrë me vete fëmijët në miting disa herë, sepse nuk kisha ku t’i lija. Nuk bëhej fjalë që të mos shkoja në miting, sepse më pushonin nga puna”, – rrëfen sanitarja.
Me dy fëmijë të mitur, njëri ende nuk kishte mbushur 1 vjeç dhe me një tjetër 7 vjeç, ajo nuk harron një moment, që ka lënë gjurmë në jetën e saj.
“Ishte qershor, por bënte shumë vapë. Më kishin lajmëruar që në orën 5 të ishim me patjetër në sheshin “Skënderbej”, përndryshe ditën tjetër do të pushohesha nga puna. I mora me vete në miting fëmijët. Vajza qante pa pushim, u tremb nga muzika e lartë dhe zhurmat në shesh, por nuk largohesha dot, derisa të vinte shefja jonë, që të na bënte apelin”, – rrëfen ajo dhe ende trishtimi i lexohet në sy.
“Dikur erdhi shefja dhe mori emrat e atyre që kishin ardhur në miting. Kur vajza po qante shumë, shefja më tha: “Largohu si me lezet, pa rënë në sy”, – shton sanitarja.
L.K., thotë se bashkë me të në mitingje ishin gjithnjë edhe koleget e saj, madje e gjithë administrata e godinës ku shërbente. Detyrimi i administratës për t’u bërë pjesë e mitingjeve elektorale, u denoncua vazhdimisht nga Partia Socialiste, në opozitë asokohe.
“Saliu erdhi para ca ditësh dhe e mbushi sheshin me robër, ne sot erdhëm këtu dhe sheshi është mbushur me qytetarë, me të cilët më 23 qershor do t`i çlirojmë edhe robërit e qeverisë, që të mos ketë më mësues, mjekë, nëpunës shteti, që merren zvarrë për qokat e pushtetit; mos ketë rrogëtarë, që tremben nga ky pushtet…”, – tha ndër të tjera Rama në fjalimin e tij me elektoratin socialist në Fier, në maj të vitit 2013.
Më 23 qershor 2013, socialistët i fituan zgjedhjet, por premtimi për pavarësinë e administratës do të harrohej shpejt.
Si shumë të tjerë edhe sanitarja L. K., shpresonte të çlirohej nga detyrimi për të qenë pjesë e takimeve elektorale, por ajo thotë se historia u përsërit dhe të gjitha partitë, që e kanë drejtuar institucionin ku ajo punon, i detyrojnë punonjësit që të marrin pjesë në çdo takim partie.
“Eh… pa kaluar shumë kohë, kur erdhën zgjedhjet, më thirrën edhe këta. Nuk ka qenë e lehtë për mua. Unë nuk kisha ndihmën e askujt, sepse prindërit e mi jetonin larg Tiranës…”, – thotë ajo.
Kur jemi në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, sanitarja thotë se i njëjti kusht iu është vendosur sërish. Ajo pranon se, pavarësisht se i detyrojnë dhe e di që nuk është e drejtë, “do të marr pjesë në çdo takim, për të ruajtur vendin e punës”.
Si sanitarja L. K., janë mijëra punonjës të administratës publike, që detyrohen të mbushin karriget e takimeve elektorale të partisë së radhës në pushtet, përndryshe rrezikojnë vendin e punës. Ata janë, pikërisht ashtu siç i cilësonte dikur zoti Rama, “robër të pushtetit”.
Si fryhet administrata në prag zgjedhjesh
Në fillim të muajit prill punonjësve të administratës publike iu shpërnda një formular, që kishte si qëllim deklarimin e votës. Punonjësi i administratës duhet ta plotësonte këtë formular me emra konkretë të familjarëve apo miqve, bashkë me të dhënat e tyre, personale dhe të deklaronin se do të votonin PS. Eprorët iu kërkuan punonjësve që të plotësonin një minimum prej 10 emrash në listë, por, kush plotësonte më shumë, “përfitonte” më shumë. Sidoqoftë, secili prej tyre është i detyruar që ta plotësojë listën të paktën me dhjetë emra. Personi, që ka vënë në dispozicion të INA MEDIA-s këtë dokument, në kushtet e anonimatit na thotë se edhe bashkëshorti i saj është gjithashtu punonjës i administratës publike dhe ka marrë të njëjtin formular.
Administrata publike, që përfshin shkollat, spitalet, rendin, pushtetin lokal etj., është punëdhënësi më i madh në Shqipëri. Reforma territoriale, e ndërmarrë nga socialistët apo informatizimi i shërbimeve, rezultoi një përpjekje e dështuar për reduktimin e punonjësve në institucionet publike. Ndërsa numri i popullsisë rezidente ka ardhur duke u rrudhur, numri i administratës është shtuar me ritme të shpejta nga zgjedhjet në zgjedhje. Të dhënat zyrtare flasin se çdo i punësuar i ri i kushton shtetit 580 mijë lekë në muaj.
Sipas të dhënave nga INSTAT-i, në sektorin publik janë aktualisht rreth 185 mijë të punësuar nga 163.885 mijë që ishin në vitin 2013. Pra, kemi 21.000 punonjës më shumë.
Të dhënat e analizuara përgjatë viteve zgjedhore tregojnë qartë se trendi i punësimeve fillon e rritet në prag të fushatave elektorale. Më konkretisht, në vitin 2017, kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, raportohen 164.339 persona të punësuar në administratën shtetërore. Në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, ky numër u rrit me më shumë se 8 mijë punonjës, duke kapur shifrën e 172.745 të të punësuarve në administratën publike.
Në vitin 2021, vit që përkon me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, numri i të punësuarve në administratën publike u rrit edhe me 10.500 punonjës të tjerë, duke e çuar numrin total në 183.255 të punësuar në administratën publike.
Gjatë vitit 2022, INSTAT raporton se administrata publike arriti në 184,396 persona, duke njohur një rritje prej 1.141 të punësuarish.
Avokati i Popullit e shikon me skepticizëm fryrjen e administratës dhe ngre dyshime se punësimet po ofrohen si shpërblim në këmbim të mbledhjes së votave.
“Është vërejtur se një numër i madh punësimesh para zgjedhjeve janë bërë nga pushteti lokal nëpërmjet shoqërive të treta, të cilat janë shoqëri të krijuara me kapital shtetëror, ku këto punësime realizohen para fushatave. Interpretimi ka qenë përgjithësisht i tipit: duke mos qenë pjesë e administratës publike, nuk ekziston kufizimi për të punësuar në kohë fushate. Nëse ne e lexojmë ligjin në mënyrë thelbësore, është e qartë që nuk mund të ofrosh punë për të marrë vota, sepse jemi në një rast të drejtpërdrejtë të shitblerjes së votës”, – thotë Erinda Ballanca, Avokate e Popullit.
E. K., mësuese në një nga gjimnazet e kryeqytetit, denoncoi se është detyruar disa herë të bëhet pjesë e aktiviteteve elektorale të partisë në pushtet dhe ky është “një rregull” që askush prej mësuesve nuk ka fuqi ta kundërshtojë. Rastet, që ajo denoncon, lidhen me zgjedhjet e 21 prillit të vitit 2021.
“Porosia më erdhi nga drejtoresha, e cila në formë presioni na orientoi (të gjithë mësuesit e shkollës), të shkojmë në takimin e radhës, për të qenë aty si numër”, – rrëfen mësuesja.
“Në njëfarë mënyre na e ka bërë të qartë: “Nëse nuk do të jeni në këtë event, do të ketë pasoja”. Unë e kuptoj si presion për vendin e punës…, sepse gjë tjetër nuk kanë çfarë të më bëjnë”, – përfundon ajo në kushtet e anonimatit, për shkak të frikës për humbjen e vendit të punës.
Përdorimi i mësuesve në fushatat elektorale është një kambanë që bie prej vitesh. Mësuesit përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të administratës publike, me rreth 34 mijë të punësuar në rang vendi, duke i kthyer në një grup mjaft të ekspozuar ndaj presioneve për pjesëmarrje në takimet elektorale dhe mitingjet e partive.
Rastet e presionit mbi mësuesit i pranon edhe Avokati i Popullit. Drejtuesja e këtij institucioni, Erinda Ballanca, konfirmon se pranë tyre kanë mbërritur për shqyrtim disa raste të presionit të politikës mbi administratën publike.
“Kemi patur disa raste me mësuesit nëpër rrethe, që janë pushuar nga puna, për shkak se mund të kenë qenë pjesë e procesit zgjedhor. Kemi dhënë disa rekomandime për këto raste dhe i takon drejtësisë t’i zgjidhë”, – tha Ballanca, duke ruajtur identitetin e tyre.
Ministria e Arsimit mohon që të ushtrohet presion mbi mësuesit për të marrë pjesë në takime elektorale apo, aq më keq, të ketë orientim të votës.
“Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Para-universitar nuk disponon të dhëna që mësuesit të jenë vënë nën presion për t`u bërë pjesë e fushatave elektorale ose që janë pushuar nga puna. Pranë institucionit tonë deri më sot nuk janë paraqitur ankesa për presione të mundshme, që janë ushtruar ndaj mësueseve nga parti të ndryshme”, – thotë Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim.
“Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Para-universitar ka marrë masa, për të siguruar parimin e paanësisë politike, si dhe për të siguruar vijueshmërinë normale dhe të pandikuar nga fushata zgjedhore të veprimtarisë së përditshme”, – përfundon përgjigjen Ministria e Arsimit.
Nëpunësi civil, i politizuar?
Rreth 13 mijë punonjës në mbarë vendin gëzojnë statusin e nëpunësit civil, një status që synon depolitizimin e administratës, por edhe kjo kategori, së cilës ligji ia njeh të drejtën që ta ngrijë statusin, nëse dëshiron të kandidojë në zgjedhjet lokale apo parlamentare, shpeshherë është kompromentuar nga loja politike.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i publikuar në vitin 2021, që monitoroi Komisionerin për Mbikëqyrjen e Nëpunësit Civil, vuri në pah se punonjës me statusin e nëpunësit civil ishin implikuar politikisht në zgjedhjet e vitit 2017 dhe ato të vitit 2019.
Më konkretisht, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2019, Komisioneri ka marrë denoncime për përfshirjen e nëpunësve civilë në tubime të paligjshme; veprime të dhunshme para KZAZ-ve, si dhe shprehje të preferencave politike në mbështetje të një force të caktuar politike ose kandidati në zgjedhje.
“Raste të tilla janë vërejtur në 13 njësi të qeverisjes vendore: Kamëz, Selenicë, Delvinë, Përrenjas, Shkodër, Tropojë, Pogradec, Devoll, Berat, Skrapar, Burrel, Klos dhe Mat. Janë 33 raste, ku punonjësit e denoncuar ishin të punësuar në pozicione pune, pjesë e shërbimit civil”, – i raporton Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Komisionerit të Nëpunësit Civil mbi këto raste.
Shqetësimet për përfshirje në fushata politike janë marrë me rezerva nga Komisioneri për Nëpunësin Civil, i cili i referohet pikës 3 të nenit 37 të Ligjit të Nëpunësit Civil, që parashikon se ai mund të kandidojë për zgjedhjet vendore apo parlamentare.
Sipas Komisionerit, ndalimet, që kanë të bëjnë me sjelljen e nëpunësit civil gjatë procesit zgjedhor, nuk duhet të çojnë në një interpretim të zgjeruar të kësaj dispozite, duke i ndaluar kategorikisht nëpunësit civilë të marrin pjesë në veprimtari politike apo në organizime zgjedhore të subjekteve politike edhe jashtë orarit zyrtar.
“Në interpretim të dispozitës ligjore, që rregullon të drejtat politike të nëpunësve civilë, Komisioneri vlerëson se, nëpunësit civilë nuk kanë asnjë pengesë ligjore, që të marrin pjesë në organizime elektorale të subjekteve të ndryshme, zgjedhore, por gjithmonë jashtë orarit zyrtar dhe duke u kujdesur që të ushtrojnë vetëkontroll, për sa i përket manifestimit në publik të pikëpamjeve politike dhe besnikërisë në një forcë politike në jetën private”, – thotë Komisioneri i Nëpunësit Civil.
Avokati i Popullit ndoqi me shqetësim një tjetër strategji në fushatën elektorale të 14 majit. Erinda Ballanca thotë se, titullarë të institucioneve të larta në administratën publike po ngrijnë statusin e nëpunësit civil, për të bërë fushatë për një kandidat apo bashki të caktuar. Ndryshe nga Komisioneri, Ballanca thotë se ligji parashikon sanksione. E megjithatë, rastet e referuara nuk janë reflektuar, sipas saj, nga asnjë institucion shtetëror.
“Ajo që ne kemi vërejtur, është se një numër jo i vogël i titullarëve të institucioneve të shërbimit civil në nivel të qeverisë qendrore kanë pezulluar statusin e tyre nga shërbimi civil, me qëllim që të aktivizohen në fushatë, por ligji e thekson se është e ndaluar në çdo kohë, pra punonjësit e administratës duhet të ruajnë statusin e tyre si punonjës të administratës, të pavarur nga politika”, – argumenton Ballanca.
“Qëndresa Qytetare” ka monitoruar zgjedhjet e 14 majit në 75 qendra votimi. Si rezultat i këtij monitorimi, ka konstatuar se: “Në hyrje të Qendrave të Votimit, por edhe në brendësi të tyre kishte persona drejtues të administratës publike, si drejtorë shkollash, qendrash shëndetësore etj., që orientonin zgjedhësit dhe vartësit e tyre, duke influencuar në votim. Në një rast tjetër, që evidentuam në Kukës, drejtori i burgut shoqëronte të dënuarit për në qendrën e votimit, duke ushtruar presion mbi votën e tyre”, – thotë Rigels Xhemollari.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka identifikuar gjithashtu raste konkrete të pjesëtarëve të administratës publike, të angazhuar në fushatën për zgjedhjet e 14 majit, në kundërshtim me Kodin Elektoral.
“Menjëherë pas administrimit është vijuar me hetimin administrativ dhe me shqyrtimin në themel të rastit, në përfundim të së cilit është vendosur sanksion administrativ ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, i cili ka marrë pjesë në një aktivitet elektoral të njërit prej kandidatëve për kryetar bashkie”, – sqaron KQZ në përgjigje të pyetjes së INA MEDIA-s.
Presion mbi administratën
I artikuluar për herë të parë në mënyrë të qartë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, raporti i OSBE-ODIHR vuri gishtin mbi plagë. Problematika kryesore e procesit zgjedhor, sipas këtij raporti, ishte pikërisht presioni i pushtetit mbi administratën publike. Gjatë prezantimit të raportit, drejtuesja e misionit të OSBE-ODIHR, Urszula Gacek, theksoi se është e vështirë të gjendet kufiri mes partisë dhe shtetit.
“Ne kemi pasur një shqetësim më të madh se sa shitblerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit”, – tha Gacek gjatë prezantimit të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Në zgjedhjet e 14 majit është gjithashtu i dukshëm fenomeni. KQZ ka identifikuar të paktën një rast konkret.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka administruar një denoncim lidhur me ushtrimin e presionit nga ana e kandidates, e cila njëkohësisht mban postin e kryetares së Bashkisë së Roskovecit, ku pretendohet se ka ushtruar presion ndaj vartësve të saj, për qëllime elektorale në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. Ky denoncim vijon të jetë ende nën hetim nga ana e administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku, pas shqyrtimit administrativ, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të shprehet me vendimmarrje lidhur me denoncimin”, – sqaron KQZ.
Aktorë të tjerë, që u bënë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve, besojnë se rastet janë të shumta. Drejtuesi i ISP, profesor Afrim Krasniqi, thotë për INA MEDIA-n se u përjashtua legjislacioni që garanton distancën e punonjësve të administratës publike me fushatën elektorale të partive politike. Ai sqaron se, përkundrazi, qeveria mori një sërë masash për ta stimuluar pjesëmarrjen e administratës në fushatë, siç ishte shpërblimi për administratën.
Ai sqaron gjithashtu se, qeveria ngriti një task force, misioni kryesor i së cilës ishte të kontrollonte administratën, pra të shmangej presioni mbi administratën.
“Nga informacionet që kemi marrë ne si ISP, ata nuk janë mbledhur asnjëherë. Nuk ka raport, nuk ka takime, nuk ka asnjë produkt dhe në këto kushte mendojmë se dështoi kontrolli i vetë qeverisë mbi administratën publike. Së dyti, Komisioneri i Shërbimit Publik dhe Departamenti i Administratës Publike nuk patën një raport publik në lidhje me rolin e administratës”, – thotë Krasniqi.
Përsëritja e këtyre shkeljeve vjen për shkak të pandëshkueshmërisë së këtij fenomeni të ndodhur edhe në zgjedhjet pararendëse. Në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, rrodhi në media një listë, e njohur ndryshe si “patronazhistët”. Të punësuar në administratë dhe në institucione publike, ata kishin për detyrë që të siguronin të dhëna (që shkelnin privatësinë e individëve) të nevojshme për të ndërtuar profilet e zgjedhësve, duke i ekspozuar kështu përballë kërcënimeve dhe presioneve nga partia në pushtet, për të votuar pro saj ditën e votimeve.
Presioni mbi administratën për t’u bërë pjesë e fushatës apo edhe për të votuar, u duk qartë në procesin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, kur opozita vendosi t’i bojkotojë zgjedhjet.
Ditën e votimit punonjësit e administratës e kishin të vështirë t’i fshiheshin presionit. Nëse ata nuk paraqiteshin në zgjedhje, atëherë identifikoheshin si votues të opozitës.
Pas shpalljes së rezultateve u vu re se 44.263 vota u shpallën të pavlefshme në rang kombëtar, një shifër kjo që nuk ishte shënuar ndonjëherë në proceset zgjedhore. Shumë prej tyre e bënë qëllimisht të pavlefshme votën. U publikuan dhjetëra fletëvotimi, ku shkruheshin mesazhe të tipit: “Më detyruan”. “Nuk jam dele”. “Nuk votoj monizmin!” etj.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 majit u publikua Aktiv1sti, një aplikacion i krijuar nga Partia Socialiste vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 14 majit 2023, i cili ka hapur debate të forta se po përdoret për qëllime politike.
Ndonëse “aktivistët” regjistrohen me dëshirën e tyre (të paktën kështu pretendojnë drejtuesit e PS-së), ata detyrohen që të shpërndajnë në rrjetet sociale aktivitete nga fushata e Partisë Socialiste dhe drejtuesit e saj, në të kundërt rrezikojnë vendin e punës.
Rigels Xhemollari tha se Qëndresa Qytetare ka konstatuar pjesëmarrje masive të administratës në aplikacionin Aktiv1sti, e krijuar nga PS-ja.
“Ne kemi identifikuar raste brenda Aktiv1stit të nëpunësve, që shkelin ligjin, duke shpërndarë dhe duke pëlqyer aktivitetet e PS-së. Zotimet e komisionerëve janë jo-konkrete, të distancuara nga thelbi i problemit dhe premtojnë që do të monitorojnë dhe do të raportojnë pas zgjedhjeve, ndërkohë që ndikimi i PS-së në administratë ndodh përpara zgjedhjeve dhe mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor, ndaj parandalimi është më efektiv se post-analizimi”, – përfundon Xhemollari.
Prokuroria e Përgjithshme sqaron se pranë këtij institucioni nuk ka mbërritur asnjë padi që lidhet me presione ndaj administratës publike. Kreu i ISP-së, Afrim Krasniqi, mendon se kjo nuk do të thotë se nuk ka raste, por se është fjala pikërisht për mungesë të mekanizmave të kontrollit nga ana e Departamentit të Administratës Publike.
“Administrata publike tregoi gjithashtu dobësi, sepse nuk pati asnjë denoncim të presionit që mund të vijë nga eprorët politikë. Administrata në vetvete tregoi mungesë të mekanizmave të vetëkontrollit dhe të vetëvlerësimit, që do të thotë se vetë Departamenti i Administratës Publike ose strukturat mbikëqyrëse duhet të propozonin akte në KQZ apo në struktura të tjera shtetërore, që administrata të ruhej, të mos përfshihej dhe të qëndronte konform ligjit.
Në një vend të vogël si Shqipëria, me burime të kufizuara, ku partitë kanë shumë pushtet, që lidhet direkt me vendin e punës, është shumë e vështirë të krijosh një administratë solide dhe të pavarur”, – sqaron Krasniqi.