Partia Demokratike futi në listat e saj të sigurta në zgjedhjet e vitit 2021 edhe disa kandidatë nga partitë e vogla aleate, të cilët morën mandatin e deputetit falë kandidimit nën logon e PD-së.
Por, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe përçarjes së PD-së, jo të gjithë kanë qëndruar besnikë të PD-së dhe opozitës. Disa prej tyre, kanë deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë në listat e PD-së, por do të kandidojnë me një koalicion partish të vogla opozitare.
Ndërkohë, janë edhe deputetët e PDIU-së, që prej më shumë se 1 viti duket se e ka braktisur aksionin opozitar, teksa shpesh ka ndihmuar edhe mazhorancën të arrijë qëllimet e saj me miratimin e ligjeve.
Sinjalet e para u dhanë në Shkurt të vitit të kaluar, kur deputetët e PDIU bashkuan votat me PS dhe PSD për të miratuar disa projektligje.
Disa muaj më vonë, me arrestimin e Fredi Belerit, marrëdhënia mes socialistëve dhe deputetëve çamë u normalizua edhe më shumë, duke e kthyer PDIU-në thuajse në një parti aleate me mazhorancën.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, edhe në deklaratat e tij publike deklaronte se mbështeste Ramën për çështjen “Beleri”, ndërsa në 30 Korrik, PDIU do të votonte pro emërimit të Taulant Ballës si Ministër i Shtetit për Parlamentin.
Por, vula për një marrëveshje të heshtur do të vihej në 3 Tetor të këtij viti, kur deputetët demokratë tentuan të pengojnë ata socialistë për t’u futur në seancën plenare.
Në sallën e Kuvendit ishin vetëm 69 deputetë të mazhorancës, çfarë e bënte të pamundur fillimi se seancës plenare, por shpëtimi erdhi nga deputetët e PDIU-së. Nusret Avdulla dhe Gëzim Ademaj arritën të futeshin në sallë dhe bënë të mundur fillimin e seancës plenare me 71 deputetë.
Falë listës së përbashkët me PD, partia e Shpëtim Idrizit arriti të marrë 4 deputetë në Kuvend, por nëse do të dilte e vetme, duket e vështirë se mund të arrinte këtë rezultat. Por, në zgjedhjet e ardhshme, opozita duhet t’i bëjë mirë llogaritë se kë do të vendosë në listë, pasi aksioni opozitar nuk mund të bëhet me deputetë të lëkundur në bindjet e tyre.