Përveç “përgjegjësia është personale”, nuk ka asnjë deklaratë tjetër që kryeministri Edi Rama dhe socialistët t’i kenë qëndruar po njësoj.
Kjo u tregua edhe në propozimet që Partia Socialiste bëri sot në Kuvend për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Mes propozimeve, ishte edhe ai për të mundësuar votën e emigrantëve.
Por, ndryshe nga ajo që kishte deklaruar pak muaj më parë kryeministri Edi Rama, se vota e emigrantëve ishte e pamundur për shkak të mungesës së një databaze të dhënash, këtë herë gjërat janë ndryshe.
“Për sa i përket votës së emigrantëve, vota e emigrantëve nuk është çështje dëshire apo vullneti nga ana jonë, se ne duam, por është çështje e bazës së të dhënave. Ne nuk kemi akoma sot një regjistër të popullsisë në emigracion, edhe pse kemi bërë disa tentativa, nuk kemi arritur, dekalronte Rama.
Socialistët kanë ngarkuar KQZ-në për hartimin e listës së zgjedhësve jashtë vendit me një afat prej 50 ditësh, çfarë do të thotë se për ata, databaza e të dhënave nuk është e pamundur, por mund të realizohet brenda një kohe shumë të shkurtër.
Kjo tregon edhe njëherë tjetër mungesën e koherencës për kryeministrin Rama, që po hedh poshtë çdo ditë ato që ka deklaruar në vitet e kaluara.
Por, nëse mundësimi i votës së emigrantëve është një lajm i mirë për Diasporën, socialistët janë kujdesur që t’ua vështirësojnë sadopak vullnetin për të votuar.
Në propozimet e tyre thuhet se emigrantët do të duhet ta paguajnë vetë tarifën postare për të nisur votën e tyre në drejtim të KQZ-së, teksa dihet se tarifat postare brenda 1 dite kushtojnë gati sa dita e punës së një shqiptari.