Maxhoranca socialiste ka kthyer mbrapsht çështjen e mandatit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka, duke marrë vendimin për ta nisur diskutimin nga e para. Këshilli i Legjislaconit në Kuvendin e Shqipërisë vendosi sot që t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që çështja e mandatit të Xhaçkës të nisë nga fillimi, duke humbur të paktën një vit e gjysëm kohë.
“Mendimi i shumicës në këtë Këshill Legjislacioni është që duhet të mblidhte Këshilli i Rregulloreve dhe Mandateve sepse mënyra se si është zhvilluar çështja dhe se si ka vendosur Gjykata Kushtetuese, është se jemi në pikën e nisjes, në momentin kur u paraqit mocioni i një të dhjetës së deputetëve. Ky Këshill duhet të rikonsiderojë çështjen”, tha kryetarja e Këshillit, Ermonela Felaj.
Gjykata Kushtetuese vendosi pak muaj më herët që kërkesa e një e dhjetës së deputetëve të sillet sa më parë në Gjykatë për shqyrtim në themel, por mesa duket maxhoranca socialiste ka aktivizuar nga plan tjetër.
Plani është që çështja të zvarritet me të paktën një vit tjetër me procedurë parlamentare dhe më pas të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, pra sa më afër përfundimit të kësaj legjislature në vitin 2025. Kjo do të thotë se çfarëdo vendimi që të japë Gjykata Kushtetuese, mandati i ministres Olta Xhaçka nuk preket. Nëse Gjykata vendos që ajo mban mandatin në papajtueshmëri, atëhere intepretimi është që ky mandat i përkiste legjislaturës së kaluar.
Deputetët e opozitës kanë publikuar dokumente ku faktohet se familjarët e ministres, bashkëshorti i saj, Artan Gaçi dhe kunata e saj janë shpallur investitorë strategjikë për ndërtimin e një hoteli lukzoz në Dhërmi.
Në vendimin e qeverisë, kompania ‘AGTTC Hotel Management’ sh.p.k,, përfitoi edhe një VKM për faljen e tokës si dhe të gjitha lehtësirat që ofron statusi i investitorit strategjik, në pronësi të bashkëshortit dhe kunatës së ministres. Më pas, bashkëshorti i Xhaçkës bashkëngjiti edhe një kompani me të njëjtin emër të drejtuar nga motra e vëllait të Xhaçkës, amerikania, Taëni Lin Grzych-Sutton, e cila nuk ka asnjë kapital financiar.
Në planin e biznesit, Gaçi pretendon një investim të kushtueshëm dhe pa zbuluar mënyrën e financimit ç’ka do të kërkonte një tjetër hetim për familjarët e ministres së Jashtme.