Si mund të përfitojnë studentët nga Inteligjenca Artificiale?

Evis Plaku PhD (c)

Studentët mund të mësojnë ta përdorin Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar proceset e tyre të studimit dhe të punës kërkimore.

Inteligjenca Artificiale (AI) është një teknologji që po ndryshon thelbësisht mënyrën si jetojmë dhe punojmë. Ajo i jep mundësinë pajisjeve kompjuterike të kryejnë detyra që kërkojnë inteligjencë njerëzore, si marrja e vendimeve dhe zgjidhja e problemeve komplekse. Aplikimet e AI janë gjithnjë e më të pranishme në shumë fusha, nga shëndetësia, arsimi, dhe financat, deri te makinat autonome dhe asistuesit virtualë. Si mund ta përdorim dhe mësojmë këtë teknologji?

Çfarë është AI?

Inteligjenca Artificiale është një kombinim i algoritmeve dhe të dhënave të mëdha që mundësojnë krijimin e sistemeve që perceptojnë, arsyetojnë dhe veprojnë. Përdorimi i teknikave si mësimi i makinës (machine learning) i mundëson AI që të përmirësohet me kalimin e kohës, pa pasur nevojë për programim të detajuar për çdo detyrë. Për shembull, AI mund të mësojë të përkthejë duke analizuar miliona tekste ose të parashikojë probleme shëndetësore duke shqyrtuar të dhëna mjekësore. Po ashtu, AI përdoret për sistemet e rekomandimit, si për shembull në Netflix, duke sugjeruar përmbajtje në bazë të preferencave të përdoruesve.

Si mund të mësojmë të përdorim AI?

Meqenëse ka shumë mundësi për të mësuar rreth Inteligjencës Artificiale, mund të jetë e vështirë të dini nga të filloni. Për këtë arsye, ju rekomandojmë trajnimet e ofruara nga Universiteti i Helsinkit dhe MinnaLearn. Ky trajnim falas, i quajtur Elements of AI, ju prezanton me konceptet bazë të AI, duke përfshirë machine learning dhe rrjetat neurale, dhe gjithashtu ofron aplikime praktike që lidhen me teknologjitë që po udhëhojnë inovacionin sot. Trajnimi është i thjeshtë dhe nuk kërkon njohuri të avancuara në matematikë ose programim, duke e bërë të përshtatshëm për çdo person që dëshiron të mësojë.
Në gjashtë kapituj, ky trajnim kombinon teori me ushtrime interaktive që ndihmojnë pjesëmarrësit të kuptojnë konceptet themelore të AI. Aktualisht, mbi 950,000 persona nga më shumë se 170 vende janë regjistruar në këtë trajnim.

Shembull: AI në arsim

Në arsimin modern, AI është përdorur për të automatizuar detyra të përsëritura, duke i mundësuar mësuesve të përqendrohen më shumë në mësimdhënien krijuese. Përshembull, mësuesit mund të krijojnë chatbot për të udhëhequr studentët në mësime interaktive ose për të personalizuar përvojat e të nxënit. Këto inovacione jo vetëm që përmirësojnë procesin mësimor, por gjithashtu frymëzojnë studentët të eksplorojnë AI si një temë studimi.

Si të filloni përdorimin e AI

Nëse jeni të interesuar të mësoni më shumë rreth Inteligjencës Artificiale, trajnimi Elements of AI është një pikënisje e shkëlqyer. Universiteti Metropolitan i Tiranës ju inkurajon ta provoni këtë mundësi dhe të bëheni pjesë e diskutimeve globale për të ardhmen e AI.
Për t’u regjistruar në trajnim, mund të vizitoni linkun: https://www.elementsofai.com/

*Autori është doktorant në Inteligjencë Artificiale dhe Pedagog i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT në Universitetin Metropolitan Tirana.