Pasi ia dolën të zgjasin sa më shumë dërgimin për shqyrtim të mandatit të Olta Xhaçkës në gjykatën Kushtetuese, mazhoranca po ndjek të njëjtën rrugë edhe me deputetin tjetër, Vullnet Sinajn.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, u shqyrtua kërkesa e opozitës për papajtueshmëri të mandatit të Vulllnet Sinajt, pasi një biznes në pronësi të tij ka përfituar pagesa nga fondet publike.
Por socialistët kërkuan sërish që të merret një opinion nga “Komisioni i Venecias”, dhe më pas të votohet në Kuvend mocioni për dërgimin e mandatit të Sinajt në Gjykatën Kushtetuese.
“Zoti Sinaj ka bërë gjithë përpjekjet në hapësirat e tij për të shmangur konfliktin e interesit, por këtu nuk jemi për këtë. Është Gjykata Kushtetuese që e vendos këtë gjë. Ne jemi në pritje të një opinioni të Komisionit të Venecias dhe nëse ky komision e konstaton një paqartësi kushtetuese është detyra jonë ta sqarojmë këtë çështje,” tha Bledi Çuçi.
Një vendim i tillë do t’i jepte socialistëve dhe deputetit të tyre kohën e duhur deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do ta rrëzonte automatikisht kërkesën e opozitës.
Kërkesa e tij u kundërshtua nga kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se opinionet e Komisionit të Venecias nuk janë detyruese, ndryshe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Provat e sjella nga opozita janë disa fatura blerjesh nga institucione publike pranë rrjetit të supermarketeve “Big Market” në pronësi të Sinajt, që kapin shifrën 3.6 milionë lekë. Vetë Sinaj nuk i pranoi akuzat dhe u përfshi në debate politike me Bardhin, ndërsa avokatja e tij i cilësoi provat e paraqitura në mocion si të pamjaftueshme për të provuar shkeljen e Kushtetutës nga deputeti”, raporton BIRN.
Veprimet e socialistëve po tregojnë se ajo që ishte paralajmëruar po ndodh. Kundërshtimi i Gjykatës Kushtetuese është kthyer në një precedent të rrezikshëm, ku shumica nuk zbaton ligjet dhe nuk ka asnjë institucion që t’i kërkojë llogari, pasi edhe Kuvendi është kthyer në sallën ku miratohet çdo vendim i marrë nga qeveria.