Shushica-Krushica: Të gjithë bashkë për lumenjtë

Entenela Ndrevataj

Të premtën e javës së shkuar, dhjetëra banorë lugina e Shushicës në Vlorë u mblodhën te ura e Brataj, ku shpalosën banderolën në anglisht “Save our Shushica” [Shpëtoni Shushicën tonë]. Bashkë me ta ishin ekspertë mjedisorë nga organizata EcoAlbania, eskpertë të huaj nga RiverWatch dhe aktivistet nga grupimi “Gratë guximtare të Krushicës”, në Bosnja dhe Herzegovinë. Ata, njëzëri, shprehën shqetësimin e projekteve të reja në një zonë që tashmë gëzon statusin Park Kombëtar.

Vjet, qeveria shqiptare e trumbetoi shpalljen e Vjoses Park Kombëtar si një arritje të jashtëzakoshme dhe një kapitull të ri të mënyrës sesi do të menaxhohen bukuritë natyrore, megjithatë, një vit më pas, projekte të reja të miratuara cenojnë zonën e mbrojtur. Bëhet fjalë për ujësjellësin e Himarës.

Ky projekt parashikon marrjen e burimit të ujit të Lëpushës siç njihet nga banorët, ose i lumit të Shushicës në Vlorë, përmes një linje tubacioni 17.5 kilometër, një projekt i cili është investim i  qeverisë gjermane përmes instrumentit financiar KfW, i Bashkimit Evropian për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe i qeverisë shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Uji do t’u çohet banorëve të Bashkisë Himarë dhe turistëve.

Ilia Bombaj, një prej banorëve të kësaj zone e quan këtë “një projekt grabitqar”.  “Ky popull që shikoni këtu është mbledhur për t’i thene stop qeverisë. Ky projekt do t’u marrë jetën 37 fshatrave”, – tha ai.

Olsi Nika nga EcoAlbania sqaron se në rast të ndërtimit të ujësjellësit komuniteti do të privohet nga uji në maj-tetor, si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike që kanë zgjatur përiudhën e thatësisë.

“Nga burimi, 200 metra më tutje është kanali i vaditjes, që marrin fshatrat ujë. Nëse merret uji këtu, ai kanal do të jetë bosh”, – shpjegon Nika, teksa ndalet dhe te ndikimi në fauna. “Ky është një lumë i gjallë”, vijon ai; “çdo gur i lumit ka insekte, larva fluturash, larva pilivesash. Një fazë të jetës së tyre e kalojnë në ujë, derisa nxjerrin flaturat dhe vazhojnë ciklin”.

Sipas Ulrich Eichelmann nga Riverwatch, ndërtimi i ujësjellësit në rrjedhën e Shushicës, do të cojë në tharjen e një prej degëzimeve të Vjosës, çka nënkupton që në aspektin mjedisor, Shushica nuk më asnjë vlerë.

“IUCN ka kritere se çfarë është një park kombëtar. Dhe nëse kjo ndodh, Shushica nuk mund të qëndrojë në Park Kombëtar”, – thotë Eichelmann.

Nga ana tjetër, çështja tashmë po ndiqet penalisht. “54 banorë nga lugina e Shushicës nga disa fshatra dhe EcoAlbania janë në proces gjyqësor për kundërshtimin e projektit të ujësjellësit”, – tha për Ditar Besjana Guri nga EcoAlbania.