Shtyhet seanca për kërkesën e grupit parlamentar të PD-së, kërkuan çregjistrimin e Bashës si kryetar partie

Gjykata e Tiranës ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së grupit parlamentar të PD-së, i përfaqësuar nga Gazment Bardhi, që kërkoi çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.

Seanca u shty për në datën 30 prill, teksa Gjykata e Tiranës do të administrojë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila në vendimin e saj ktheu në Apel çështjen për vulën e PD-së.

Këshilli Kombëtar mori vendimin për këtë çështje në Korrik të vitit të kaluar, ndaj PD e Rithemelimit iu drejtua Gjykatës, që do të shqyrtojë dhe do të vendosë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për vulën dhe logon e PD-së.

Vendimi i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

Një grup deputetësh janë ngarkuar të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin. Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lart drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike.