Shtyhet seanca për dosjen “Plumbi i Artë”, avokatët braktisin sallën e gjyqit

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj dosjes së bujshme “Plumbi i artë”.  Kësaj here, ishte avokatja Elda Zotaj, përfaqësuese ligjore e Altin Ndocit, ajo që u largua nga seanca, pak çaste pasi kërkoi përjashtimin e kryesueses së trupit gjykues, Engjëllushe Tahiraj.

Zotaj akuzoi gjyqtaren për qëndrim të njëanshëm dhe intimidim ndaj përfaqësuesve ligjorë të të pandehurve, duke kërkuar largimin e saj nga çështja. 

Ndërkohë gjykata vendosi ndërprerjen e seancës, dhe për pasojë nuk u morr në pyetje i penduari Skerdo Tasi, i cili kishte zënë vendin në karrigen e dëshmitarit.

Më herët gjatë seancës, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për të vënë në dispozicion marrëveshjen e bashkëpunimit mes SPAK dhe të penduarit Endrit Alibej. Gjithashtu, u miratua edhe dorëzimi i procesverbaleve të deklarimeve të dhëna nga Alibej në vitin 2022, përpara se të firmoste marrëveshjen e bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme.