Është shtyrë për me datë 16 dhjetor seanca gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi lidhur me dosjen “Partizani”.
Lajmi u bë i ditur nga avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, i cili në një komunikim për gazetarët tha se Gjykata e Strasburgut ka kaluar në fazën e debatit çështjen e Berishës, duke e cilësuar si një çështje me prioritet.
Gjokutaj tha se Gjykata i është drejtuar me disa pyetje shtetit shqiptar për veprimet gjyqësore dhe pas përgjigjeve, do të merret një vendim.
“Seanca është shtyrë për në datën 16 dhjetor. Doja të bëja me dije se jemi njoftuar se gjykata Strasburgut, ka kaluar në fazën e debatit çështjen e Berishës, e ka cilësuar çështje prioritare dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar për veprimet gjyqësore. Janë të gjitha ankimet që kemi bërë, masat, antikushtetuesmëria, mungesa e proporcionalitetit, ndërprerja e aktivitetet të tij si kreu i opozitës apo si deputet. Strasburgu ka ecur me një shpejtësi. Shkresa i ka ardhur shtetit shqiptar, më pas do merret një vendim,” tha Gjokutaj.
Kujtojmë se kreu i PD, Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej dhjetorit të kaluar, i akuzuar për korrupsion. Ndërkohë dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.