Me rritjen edhe më tej të çmimeve të banesave deri në 15%, për familjet shqiptare do të jetë pothuajse e pamundur blerja e një apartamenti duke u kthyer në një “mollë të ndaluar”, nisur këtu nga të ardhurat e ulëta që qytetarët kanë.
Çmimet globale të banesave pritet që të rriten në dy vitet në vijim, duke përfshirë këtu edhe vendin tonë. Sipas raportit të Fitch Rating, këto çmime pritet që të rriten nga 2 deri në 15 %, që për Shqipërinë e bën më të papërballueshme blerjen e një apartamenti. Edhe pse në vend, ndërtimi ka pasur një zhvillim në vitet e fundit, ku vetëm në Tiranë po ndërtohen kulla kudo, të blesh një banesë është një mision i pamundur.
Kjo pasi çmimet e apartamenteve në kullat luksoze që po ndërtohen në Tiranë ofrohen në nivelet e kullave në Dubai.
Kujtojmë këtu se një raport i Numbeo-s evidentoi se Tirana është qyteti i pestë më i shtrentë në Europë për blerjen e një apartamenti.
Po sipas të dhënave të agjencisë Numbeo për vitin 2024, për të blerë një apartament në kryeqytet, një familje shqiptare duhet të punojë për 17.5 vite, ndërsa në vitin 2022 ky numër ishte 15.7 vite Ky vlerësim merr parasysh kombinimin e çmimit për metër katror dhe të ardhurave mesatare të familjeve.
Çmimet e larta të apartamenteve dhe të ardhurat e ulëta të qytetarëve vijojnë që ta rendisin kryeqytetin shqiptar ndër qytetet më të shtrenjta në Europë për përballueshmërinë e blerjes së një prone. Dhe nëse rritja do të vijojë, shumë familje do të detyrohen që të rrinë me qira, me këto të fundit që kanë njohur një rritje të konsiderueshme vitet e fundit.
Duhet thënë se si rezultat i çmimeve të larta të pronave, shumë qytetarë po dynden në kredi, ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vetëm në 7 muajt e parë të vitit 2024 kanë marrë 31.6 miliardë lekë hua për blerje banese, që është rekord historik.
Historiku i çmimit të apartamenteve tregon se rritja mesatare vjetore deri para vitit 2015 ka qenë rreth 6%, ndërsa pas vitit 2022, ajo ishte 17%.
Edhe tabelat zyrtare me çmimet e tregut në vitin 2024 tregojnë se çmimi mesatar për m2, në të gjitha qytetet kryesore u rrit nga 1000 lekë deri 10 000 lekë.
Ndërkohë vlen të thrksohet se flukset e ndërtimit do të rriten edhe më tej, sidomos në kryeqytet nisur nga lejet e ndërtimit të lëshuara në vitin që sapo lamë pas. Në 6-mujorin e parë 2024, lejet e reja të ndërtimit në Tiranë sipas sipërfaqes arritën në 898,640 metër katror, nga 660,452 metër katror në 6-mujorin e parë 2023.
Por të dhënat e Cens 2023 treguan se në të gjithë vendin, 40% e banesave në pallate ishin të pabanuara. Në disa qarqe, kryesisht atyre bregdetare ky numër ishte më i lartë. Qarku i Vlorës kryesoi renditjen pasi rreth 64,6% e banesave në pallate ishin bosh në kohën kur u zhvilluar numërimi.
Stoku i banesave bosh është krijuar nga emigrimi i familjeve, të cilët nuk kanë planifikuar qiradhënien. Ndërsa pjesa më e madhe e stokut u takon investimeve që kanë bërë individë brenda dhe jashtë vendit. Shpesh banesat e blera për investime dhe të pa dhëna me qira janë pjesë një zinxhiri të përdorur për pastrimin e parave të bëra në mënyrë të paligjshme.
Ajo çfarë duhet thënë është se Shqipëria renditet një nga vendet e fundit në Europë për sa i përket të ardhurave për frymë, duke qenë ndër më të varfërit ndërsa blerja e një prone duket gjithnjë e më larg.