Shqipëria “pushtohet” nga moti i keq, situatë problematike në 8 qarqe të vendit

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme dhe nesër priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit, duke rritur ndjeshëm rrezikun nga përmbytjet.

Sipas institutit, në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash.

Me anë të një njoftimi në Facebook, Instituti parashikon se sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.

Sot pasdite dhe nesër në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Lezhë priten reshje intensive. Në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.

Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 1000 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.