Përkeqësohet situata në Gjirokastër si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, që po vijojnë prej 24 orësh.
Mësohet se ka dalë nga shtrati përroi i Ficos duke mbuluar të gjithë qytetin e Gjirokastrës me ujë. Një pjesë e qytetit dhe disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike.
Po ashtu, reshjet intensive të shiut dhe moti i keq, kanë bërë që niveli i lumit Vjosa të rritet në mënyrë të ndjeshme. Niveli i tij ka arritur rreth pesë metra tek Ura e Mifolit.
Sipas informacioneve shirat pritet të vijojnë me intensitet të lartë edhe në orët në vijim, çka mund të sjellë një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, veçanërisht gjatë orëve të para të ditës së nesërme.
Situata vijon të jetë e rëndë në Durrës, ku janë rreth 100 shtëpi që janë përmbytur ndërsa janë evakuuar 60 banorë.
Situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri).
Edhe territori i Qarkut Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e shiut me intensitet mesatar e gjatë gjithë ditës, ku mbi 1000 ha tokë është ende nën ujë.