Teksa Edi Rama dhe Giorgia Meloni inspektonin kampin e refugjatëve në Shëngjin, dy të rinj, Arlinda Lleshi dhe Edison Lika, vendosën të shpalosnin një banderolë në shenjë proteste.
Nga tarraca e një pallati në afërsi të kampit, ata hapën banderolën ku krahasonin pushtimin nga Italia fashist në 7 Prill 1939 me nënshkrimin e marrëveshjes së emigrantëve në 5 Nëntor të vitit 2023. Gjithashtu pjesë e protestës së tyre ishte edhe një altoporlant , nga i cili dëgjohej zëri i Benito Musolinit në fjalimin ku shpallte monarkun italian Vitorio Emanuelin, mbret të Shqipërisë.
Por kjo mënyrë proteste duket se nuk u pëlqeu policëve, të cilët vendosën t’i shoqëronin të rinjtë në komisariat, duke i mbajtur për disa orë atje.
Kësaj ngjarje i ka bërë jehonë edhe gazeta italiane “La Repubblica”, e cila e ka përmendur në artikullin e saj kushtuar vizitës së Melonit në Shqipëri.
“Ata na thanë se për protestën tonë nuk kishim leje por motivi i ndalimit tonë ishte thellësisht politik”, u shpreh Edison Lika për të përditshmen italiane.