Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për shoqërimin e një të mituri gjatë protestës së Partisë Demokratike, më datë 24 janar para Kryeministrisë.
Mësohet se AMP ka dërguar praktikën në prokurorinë e Tiranës në lidhje me kushtet e shoqërimit të 14 vjeçarit.
Organi i akuzës do ta verifikojë në bashkëpunim edhe me AMP mënyrën se si tre agjent të policisë të maskuar vepruan për rastin në fjalë.
Po ashtu Prokuroria do ta verifikojë plotësisht veprimet e të miturit, nëse ai ishte apo jo në shkelje të ligjit.
Ndërkohë gjatë seancës së djeshme, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu tha se i mituri u ndalua pasi po qëllonte me gurë dhe sende të forta ndaj policisë.
“Rasti i shoqërimit të një të mituri, gjatë veprimeve të policisë së shtetit, u konstatua i mituri duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta drejt policëve. Për të mbrojtur jetën e policëve dhe vetë të miturit, ai u mor për verifikim. Bëhej fjalë për një 14-vjeçar, në asnjë moment nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshme apo çnjerëzore. Ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm në përputhje me standardet për mbrojtjen e të miturve”- u shpreh Koçiu.