“Shoqëria ka nevojë për një shkundje”, thirrja e fortë e sociologes Marsida Simo: Vajzat mësohen se dhuna e bashkëshortit është pjesë e jetës

Gra që dhunohen, kërcënohen me jetë nga bashkëshortët e tyre. Kjo është panorama e trishtë që na ofron sot realiteti shqiptar, ku gratë, nënat por edhe fëmijët dhunohen në atë që do të duhej të ishte një strehëz e ngrohtë familjare.

Sociologia Marsida Simo ka shpjeguar se në shoqërinë shqiptare gratë janë mësuar që të bashkëjetojnë me dhunën, kjo për shkak edhe të mentalitetit.

“Mendoj se shoqëria jonë ka nevojë për një shkundje dhe kur thëm këtë nga më i vogli tek më i madhi sepse ende ekziston realiteti i dhunës, e të edukuarit të dhunës e madje është normalizuar dhuna që mund të bashkëjetosh me të pa farë problemi. Përveç kësaj vajzat kryesisht mësohen se nëse bashkëshorti të dhunon është pjesë e jetës, duhet të durosh për hir të familjes. Këto problematika të cilat shfaqin që në fillim të bashkëjetësës, martesës lidhjes nuk zhduken vetë por shumohen e derisa bëhen lajme për tv dhe ne që qëndrojmë prapa në heshtje dhe nuk bëjmë asnjë gjë, nuk reagojmë dhe do të vij një moment që këto do të na duken krejt normale dhe do themi: cila do jetë ngjarja tjetër? Nuk më bën më përshtypje” -u shpreh ajo.

Sociologia nënvizon dhe u bën thirrje grave që të kërkojnë ndihmë nëse bashkëshortët apo familjarët e tyre shfaqin probleme të shëndetit mendor.

“Ka dhe diçka tjetër që dua të nënvizoj. Në momentin që një bashkëshort, bashkëshortja, një pjesëtar i familjes shfaq simptoma të atilla të shëndetit mendor, duhet kërkuar ndihmë. Nuk është turp të kërkosh ndihmë, turp është të qëndrosh në heshtje të përtypësh dhe të presësh që gjërat të rregullohen vetë. Nuk rregullohen vetë. Dhe e fundit, ashtu sic bëjmë kontrolle rutinë për një ekzaminim fizik. Duhet bërë edhe një kontroll, këshillim për aspektin mendor. Duhet futur në kulturën tonë”- thekson sociologia.