Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka urdhëruar Departamentin për Shërbimet mbështetëse në DPPSH, që brenda ditës së sotme të kalojnë në thesar pagesat e prapambetura të punonjësve të Policisë.
“Brenda ditës së sotme, çdo njësi buxhetore të kalojë në thesar pagesat e prapambetura të punonjësve të Policisë. Çdo vonesë ju ngarkon me përgjegjësi”, thuhet në urdhrin e Prodës.
Këto pagesa përfshijnë orët suplementare, orët e natës, dietat e prapambetura, shumat në lidhje me dietat ushqimore dhe çdo pagesë tjetër e parapambetur.
Mediat raportojnë se nga të gjitha njësitë buxhetore po kryejnë veprimet me thesarin për të kaluar pagesat.
Shuma e cila ka kaluar me anë të Aktit Normativ është 1.5 miliardë lekë. Kjo sasi monetare nuk ka të bëjë me shpërblimet, por vetëm me pagesat e prapambetura për efektivët e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu pritet të jepet shpërblimi për rreth 8 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, vendim që merret nga mbledhja e Këshillit të Ministrave.