Akademia e Shkencave, ku duhet të mblidheshin akademikët më të mirë të vendit, është kthyer prej vitesh në një institucion qokash ku punohet vetëm për të marrë rrogën.
Sot në këtë institucion do të zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri, por për këto zgjedhje nuk është bërë asnjë lajmërim për mediat, teksa në garë është i vetëm Skënder Gjinushi, ish-ministër i Arsimit në regjimin komunist dhe deputet në disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjinushi duket se do të shkojë drejt një rikonfirmimi në detyrë, pasi jo vetëm që nuk ka rivalë, por ka edhe bekimin e mazhorancës, e cila ndryshoi projektligjin vetëm për mandatin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, duke i hapur rrugë Gjinushit të qëndrojë të paktën edhe për një mandat tjetër.
Burime për mediat bëjnë me dije se rreth 15 akademikë kanë votuar me zarf, për shkak se nuk ndodhen në Shqipëri, ndërkohë që votat do të administrohen nga një komision Ad Hoc dhe jo nga një komision votimi, siç bëhet normalisht. Kjo ngre edhe më shumë dyshimet për rizgjedhjen e Gjinushit, teksa i vetmi që ka qenë kundër kësaj procedure është akademiku Artan Fuga.