Shkatërrimi i zbulimeve arkeologjike gjatë punimeve të Manastiri Resort, Instituti i Trashëgimisë Kulturore hesht!

Pak ditë më parë u bë publik lajmi se punimet për ndërtimin e një resorti në Gjirin e Manastirit, mund të ketë shkatërruar potencialin arkeologjik të zonës, përfshirë edhe një zbulim të vitit 2010. Bëhet fjalë për një kullë vrojtimi që i përket Antikitet të Vonë, një fazë e dytë e mundshme e Murit të Demës. Zbulim ky që ishte në gjurmën e resortit dhe u rrafshua gjatë punimeve për ndërtimin e këtij resorti.

Pavarësisht zbulimeve që u bën vite më përpara, projekti i resortit vijoi duke shkatërruar një prej zbulimeve që fillimisht dyshohej si kullë fortifikimi e Antikitetit të Vonë, si edhe duke kryer punime nëntokësore pa monitorim arkeologjik.

Disa ditë pas këtij lajmi, ende nuk ka pasur një reagim nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që për hir të së vërtetës është tepër aktiv në rrjete sociale, por ende nuk ka dhënë një shpjegim për këtë “masakër” që ka ndodhur në atë zonë.

Nuk mungojnë edhe postimet politike, si ato të kryeministrit Edi Rama, apo edhe të ministrit të Kulturës Blendi Gonxhe.

Por asnjë reagim deri më sot për investigimin 2 vjeçar të Media Amfora, që zbuloi se projekti që po zhvillohet në një sipërfaqe 53.467 m2, prek një nga zonat me potencial të lartë arkeologjik të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe një zinxhir institucionesh kanë dështuar të realizojnë monitorimin e punimeve.

Madje vetë Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, pas miratimit të raportit të vëzhgimit arkeologjik, nuk e përmend zbulimin e strukturës rrethore në vitin 2010.

Megjithatë ky institut nuk ka folur ende për këtë skandal, ndërsa punimet për resortin vijojnë pa pushim.