Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është vendosur shkarkimi nga detyra i zv/ministres së Arsimit dhe Sportit, Nina Guga. Ndërkohë në vend të saj është caktuar Orjana Osmani. Kjo e fundit ka punuar prej 22 vitesh si mësuese e lëndës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe ka dhënë mësim edhe në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.
Kujtojmë se Nina Guga u mashtrua nga 20-vjeçari Ermes Hoxhalli nga Devolli dhe student i vitit të parë në Universitetin e Arteve në Tiranë. Po ashtu, kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj e denoncoi rastin para pak ditësh në Kuvend. Nëpërmjet një videoje ai tregoi se si 20-vjeçari nga Devolli Ermes Hoxhalli, shpiku një njeri që nuk ekziston, Klea Ramën, dhe atë e përdori për të vënë në lëvizje të gjithë Ministrinë e Arsimit dhe gjimnazet në vend për të shitur një program të sajuar që premtonte bursa studimi për në SHBA. Çelësi i suksesit ishte prezantimi i tij si Klea Rama, mbesa e Edi Ramës.
Klea Rama ishte një shpikje e 20-vjeçarit. Mesazhin e saj e lexoi një drejtoreshë gjimnazi para nxënësve ndërsa zv.ministrja e Arsimit i dedikoi një urim në rrjetet sociale.
V E N D I M PËR EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Orjana Osmani emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M PËR LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Nina Guga, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU