Këshilli i Ministrave ka vendosur sot shkarkimin nga detyra të zëvendës ministrit të Brendshëm, Julian Hodaj.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e qeverisë pas propozimit të kryeminisitrit Rama dhe hyn në fuqi menjëherë.
Julian Hodaj mbante këtë detyrë që prej tetorit të 2017-ës. Ky është shkarkimi i dytë brenda pak kohësh në Ministrinë e Brendshme, pasi më herët u shkarkua zv.ministri Andi Mahila, pasi u kap duke pirë cigare në ambientet e mbyllura.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Z. Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, njofton Këshilli i Ministrave.