SafeJournalists Network (SJN) merr në dijeni shkarkimin e gazetarit Ilir Babaramo nga Report TV dhe po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me këtë rast, i cili ka gjeneruar debat të gjerë publik në Shqipëri. Babaramo, një gazetar i njohur me dekada përvojë, i cili ka qenë pjesë e Report TV për rreth tetë vite, ka deklaruar se i është bërë e qartë se nuk mund të vijonte punën duke kritikuar qeverinë, duke lënë të kuptohet se largimi i tij lidhet me qëndrimet editoriale.
Report TV e ka hedhur poshtë këtë pretendim. Në reagimin publik, media ka deklaruar se shkarkimi i Babaramës ka ardhur si pasojë e një shkeljeje të rëndë të etikës profesionale dhe e një prishjeje të marrëdhënies së besimit brenda redaksisë, duke theksuar se vendimi nuk lidhet me kritika politike, por me sjellje të konsideruara të papajtueshme me standardet e brendshme dhe përgjegjësitë profesionale. Konkretisht, media i referohet deklaratave të bëra nga Babaramo gjatë një transmetimi live më 22 mars, ku ai akuzoi një kolege se merrte udhëzime politike përmes një kufjeje, pretendime që Report TV i ka cilësuar si të pabazuara dhe dëmtuese për institucionin dhe personin në fjalë.
Rasti u zhvendos shpejt në arenën politike. Përfaqësues të Partisë Demokratike përdorën gjuhë të fortë dhe të personalizuar, me kryetarin Sali Berisha që e quajti pronarin e medias, Karlo Bolino, “supermafiozi numër një i mediave shqiptare”, duke e paraqitur shkarkimin si shenjë të presionit ndaj zërave kritikë. Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka argumentoi në mënyrë të ngjashme se gazetarët largohen nga puna kur raportimi i tyre bie ndesh me interesat financiare të pronarëve të mediave në raport me qeverinë, duke e paraqitur rastin si pjesë të një problematike më të gjerë për lirinë e medias. Ndërkohë që shqetësimet për presionet e pronësisë mbi pavarësinë editoriale janë legjitime dhe të dokumentuara në kontekstin shqiptar, përfshirë nga SJN dhe raportime të tjera të pavarura, përdorimi i një gjuhe të tillë rrezikon të ngatërrojë çështjet reale të lirisë së medias me mesazhe partiake dhe mund të dobësojë përpjekjet për llogaridhënie.
Reagime janë shfaqur edhe brenda vetë komunitetit mediatik, duke shtuar një tjetër shtresë tensioni rreth rastit. Gazetari Andi Bushati përdori gjuhë të fortë dhe personale ndaj gazetares së Report TV, Danjela Maloku, duke e akuzuar për “pafytyrësi” dhe duke lënë të kuptohet se ajo kishte vepruar në kundërshtim me interesat e një kolegu. Maloku e hodhi poshtë këtë qasje dhe deklaroi se nuk ka ndërmend të përfshihet në atë që e cilësoi si konflikt mes kolegësh, duke theksuar se nuk angazhohet në të tilla përplasje.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka bërë thirrje për një sqarim transparent dhe të bazuar në fakte të rastit, duke theksuar nevojën për respektimin si të standardeve profesionale, ashtu edhe të të drejtave të gazetarëve. AGSH nënvizoi se situata të tilla duhet të vlerësohen mbi bazën e procedurave të qarta dhe informacionit të verifikueshëm, dhe jo mbi narrativa të kundërta.
SafeJournalists Network (SJN) vlerëson se rastet ku ndërthuren pretendime për presion politik dhe akuza për shkelje profesionale kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm dhe të bazuar në fakte. Pretendimet e palëve nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur dhe procedura e ndjekur për shkarkimin nuk është bërë publike në tërësi. Dimensioni publik që ka marrë ky rast, me përfshirjen e aktorëve politikë dhe mediatikë, e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim të pavarur dhe transparent. SJN bën thirrje për transparencë të plotë mbi arsyet dhe procedurat e ndjekura në këtë rast, përfshirë respektimin e procesit të rregullt dhe të garancive për pavarësinë editoriale. Ruajtja e balancës mes mbrojtjes së gazetarëve dhe respektimit të standardeve profesionale mbetet thelbësore për integritetin e mjedisit mediatik.