Sheshi “Skënderbej” me koncesion, nga interneti me pagesë te shkuma party dhe çmimet e “jugut”

Në Shqipëri e kanë kthyer gjithçka në biznes, por kur në mes është edhe Bashkia e Tiranës, shifrat janë gjithmonë më të larta.

Këtë herë Bashkia e Tiranës duket se ka dhënë me koncesion sheshin “Skënderbej”, që është kthyer në Fan Zone për ndeshjet e Kampionatit Europian, por që më shumë po shërben për të pasuruar bizneset që kanë paguar për ta administruar për 30 ditë.

Ajo çfarë ndodh brenda ambienteve të Fan Zone është çmenduri, ku edhe çmimet i ngjasojnë atyre të bizneseve të jugut, që tashmë janë të famshme për shifrat e larta me të cilat tregtojnë produktet e tyre.

Çmenduria fillon që në hyrje të Fan Zone, ku është e ndaluar të përdorësh internetin në celular, pavarësisht se mund të kesh paguar kontratën me ndonjë kompani telefonike. Zgjidhja është gjetur duke detyruar qytetarin të paguajë, pasi një kompani ofron internet me pagesë që mund të përdoret brenda Fan Zone.

Çmimi i një shishe uji është disa herë më i lartë se në markete apo lokale të tjera në Tiranë, ndërkohë që Fan Zone është e pajisur edhe me një VIP Zone, ku paguan 50 euro dhe ke një pamje më të mirë të ndeshjes.

Për ta mbyllur këtë çmenduri ka menduar vetë Bashkia e Tiranës, që gjatë ndeshjes me Kroacinë, organizou edhe shkuma party. E padëgjuar ndonjëherë që në mes të një ndeshje të ketë edhe shkuma party, por ndryshe mendon Erion Veliaj, që e ka njoftuar vetë këtë “eveniment” të rëndësishëm në sheshin “Skënderbej”.