Shëndeti i konsumatorëve në rrezik, pjeshkët dhe rrushi me pesiticide nga Greqia janë futur në tregun shqiptar

Një sasi me pjeshkë dhe rrushë me nivele të larta pesticidesh janë bllokuar, ndërsa ditë pas ditë qytetarët shqiptarë nuk dinë se çfarë po konsumojnë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se ngarkesat e frutave me pesticide vinin nga Greqia.

Gjatë kontrolleve zyrtare, pjeshkat e importuara nga Greqia rezultuan me mbetje të pesticidit Phosmet në nivele të tejkaluara nga normat e lejuara. 

Megjithatë ato janë futur në tregun shqiptar, dhe nuk dihet sesa është sasia që është konsumuar nga qytetarët shqiptarë.

Në një tjetër rast, rrushi i kuq francez i importuar po ashtu nga Greqia, u analizua dhe rezultoi me pesticidin Propamocarb mbi normat e lejuara. Ky produkt u gjet nga inspektorët në një pikë shpërndarjeje në Lezhë, me një sasi prej afërsisht 800 kg.

Kujtojmë se viti 2025 ka qenë i shoqëruar me skandale sa i takon sigurisë ushqimore të qytetarëve shqiptarë.

Përmendim këtu rastet me fileton e pulës me salmonelë, luleshtryshet me pesticide, si edhe domatet që u bllokuan nga Kroacia për shkak të pesticideve të larta.

Njoftim i AKU për konsumatorin

Bazuar në kontrollet zyrtare të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka rezultuar se produkti pjeshkë, i importuar nga Greqia, pas analizimit është konstatuar me praninë  mbi normë të mbetjes së pesticidit Phosmet, me risk për shëndetin e njeriut.

 PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:

 Kategoria e produktit: fruta – perime

 Emri i produktit: pjeshkë

 Vendi i origjinës: Greqi

 Operatori i biznesit ushqimor ka njoftuar subjektet, ku ka shpërndarë produktin, për kthimin e tij në rast se e kanë ende në gjendje.

 AKU për këtë rast ka bërë njoftimin përkatës pranë kategorisë së Njoftimeve RASFF.

 Njoftim për konsumatorin nga RASFF

Bazuar në kontrollet zyrtare të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka rezultuar se produkti “rrush i kuq francez” i importuar nga Greqia, pas analizimit është konstatuar me praninë mbi normë të mbetjes së pesticidit Propamocarb, me risk për shëndetin e njeriut.

PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:

Kategoria e produktit: fruta – perime

Emri i produktit: rrush i kuq francez

Vendi i origjinës: Greqi

AKU pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë, ka bllokuar sasinë në gjendje të produktit të konstatuar me qëllim asgjësimin.

AKU ka kryer edhe për këtë rast njoftimin përkatës pranë kategorisë së njoftimeve RASFF.