Edhe pse të shtunën e kaluar mori zyrtarisht detyrën si Ministre e Shëndetësisë, Evis Sala mësohet se do të largohet për të paktën dy javë nga Shqipëria.
Burime për mediat bëjnë me dije se Sala ka njoftuar stafin e saj se do të mungojë për një periudhë 2 javore dhe do të rikthehet në ministri më datë 2 tetor.
Ky largim vjen teksa Shëndetësia në vend vijon të përballet me probleme të shumta, skandale, të cilat janë bërë publike në media, por që u pranuan edhe nga vetë ministrja ditën kur u prezantua nga kryeministri Edi Rama.
Mungesa e ilaçeve për të sëmurët me kancer, skandali te Onkologjiku, mungesa e disa shërbimeve bazë apo kushtet në spitale janë disa nga problemet që kërkojnë ndërhyrje emergjente dhe largimi i ministres fill pasi mori këtë detyrë të rëndësishme ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të punohet për përmirësimin e tyre.
Vetë ministrja tha se me këtë post që ka marrë i është futur një oqeani të madh dhe krah Ramës, shpalosi sfidat me të cilat do të përballet, ndërsa kujtoi si emergjencë rimbursimin e barnave onkologjike.
Nuk dihen arsyet e largimit të ministres për 2 jave jashtë vendit, nëse lidhen me aspekte personale, por ajo çfarë ka bërë në vetëm pak ditë punë është shkarkimi i drejtorit të FSDKSH Spartak Zekja dhe emërimi i drejtueses së re të QSUT-së, pas largimit të Florenc Spahos.
Deri në kthimin e saj në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë mbetet “jetime”.