Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka kërkuar drejtësi për banorët e Rrjollit, të cilët po protestojnë prej disa javësh pasi në tokat e tyre do të ndërtohet një resort nga biznesmeni, Bashkim Ulaj.
Shehaj tha se banorët e Rrjollit po dhunohen dhe po u grabitet prona nga Bashkim Ulaj, njeriu që përmendej në përgjimet e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
Shehaj u afrua pranë ulëseve ku qëndrojnë deputetët e Partisë Socialiste në Kuvend, duke u treguar ligjvënësve të majtë pamjet se si janë dhunuar dhe tërhequr zvarrë banorët e Rrjollit, pasi protestojnë për tokat e tyre. Mes tyre edhe një 19 vjecar, i cili nuk i shpëtoi dot dhunës së policisë.
“T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, foli me tone të forta në Kuvend Shehaj, duke sjell edhe përjashtimin e tij nga seanca plenare.
“Askush nuk foli këtu me një çështje që ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur falë pushtetarëve të korruptuar. Kjo këtu është një pamje që tregon sesi dhunohet një qytetar shqiptar. Ndërkohë që Taulanti zgërdhihet. Taulant e ke parë këtë grushtin Taulant? Ky djali që rrahin me grushta është një 19 vjeçar që mbron pronën e vet, ku ka lindur, jetuar e është rritur, ndërkohë që ju ja keni vjedhur. 150 hektarë i keni marrë gjithë fshatit. Ja ka marrë ish-drejtori i Hipotekës Taulant. Pasi keni vjedhur pronën, tani po i dhunoni. Ja ka marrë me atë që Belinda Balluku përmendte në përgjim dhe thoshte ‘i kemi bërë nderin e jetës, i kemi dhënë rrugën Thumanë-Kashar 1.3 miliardë euro. T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, tha mes të tjerash Shehaj.