SHBA i përgjigjet propozimit të Iranit për armëpushimin

Irani deklaroi të mërkurën se ka marrë përgjigjen e Shteteve të Bashkuara ndaj propozimit të tij për rikthimin e armëpushimit në Gjirin Persik, disa ditë pasi presidenti Donald Trump tha se e kishte refuzuar atë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i ka përcjellë qeverisë iraniane përgjigjen amerikane, konfirmoi një zëdhënës i Teheranit në një postim në platformën X. Më herët, Araqchi kishte deklaruar se Irani nuk kishte marrë një refuzim zyrtar nga Uashingtoni.

Sipas propozimit iranian, SHBA-ja do të hiqte bllokadën ndaj porteve të Iranit, ndërsa Teherani do të rihapte brenda shtatë ditësh Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Një zyrtar i informuar për bisedimet i tha Reuters se palët kanë dakordësi të gjerë mbi hapat që duhet të ndërmerren, por ende nuk bien dakord për rendin e zbatimit të tyre.

Bisedimet e fundit u zhvilluan me ndërmjetësimin e Katarit, i cili përcolli mesazhe mes delegacioneve amerikane dhe iraniane në Nju-Jork. Ato ishin kontaktet e para indirekte mes dy palëve që prej dështimit të armëpushimit.

Tërheqja amerikane nga Iraku

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Iraku njoftuan të mërkurën tërheqjen e trupave të fundit amerikane nga bazat në Irak.

Tërheqja ishte pjesë e një marrëveshjeje të arritur në vitin 2024 gjatë administratës së Joe Biden dhe u zbatua nga administrata Trump, në një kohë kur SHBA-ja po zhvillon luftë me Iranin.

Teherani dhe grupet e armatosura aleate të tij e kanë përshëndetur largimin e trupave amerikane, duke e cilësuar atë si një fitore të “boshtit të rezistencës”.

Irani ka ndikim të konsiderueshëm politik dhe ushtarak në Irak, vend që prej vitesh është kthyer në një pikë përplasjeje indirekte mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Sipas një analisti politik me bazë në Bagdad, largimi amerikan mund t’u japë grupeve të mbështetura nga Irani më shumë hapësirë për të rritur ndikimin e tyre në institucionet shtetërore irakiane.

Ngushtica e Hormuzit mbetet pikë kyçe

Ndërkohë, trafiku detar përmes Ngushticës së Hormuzit është rritur gjatë javëve të fundit, por transporti i naftës bruto, produkteve të rafinuara dhe gazit natyror mbetet ndjeshëm i penguar.

Autoriteti britanik i sigurisë detare UKMTO raportoi të mërkurën se dy anije ishin goditur nga predha një ditë më parë.

Ngushtica e Hormuzit është veçanërisht e rëndësishme për tregjet globale të energjisë, pasi përmes saj kalonte rreth një e pesta e naftës botërore përpara fillimit të luftës.

Lufta ka rënduar gjithashtu krizën ekonomike në Iran, ndërsa ndërprerjet në furnizimet globale me energji kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve.

Trump ka deklaruar se lufta do të përfundojë së shpejti dhe se Irani përfundimisht do të dorëzohet. Të martën, ai tha për gazetarët: “Nuk e di nëse do të heqin dorë tani, por do të heqin dorë.”