SHBA dhe Britania tërheqin pjesërisht personelin nga baza ushtarake në Katar

SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nisur reduktimin e personelit të tyre ushtarak në bazën ajrore Al-Udeid në Katar, në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve kundër Iranit për shkak të goditjes së dhunshme ndaj protestave antiqeveritare.

Në një deklaratë, qeveria e Katarit tha se masat që po merren nga SHBA-ja janë “në përgjigje të tensioneve aktuale rajonale”.

Më herët, presidenti Trump paralajmëroi se SHBA-ja do të ndërmarrë veprime shumë të forta kundër Iranit nëse autoritetet iraniane ekzekutojnë protestues. Nga ana e saj, Teherani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet nëse sulmohet nga SHBA-ja.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, më shumë se 2.400 demonstrues antiqeveritarë janë vrarë gjatë goditjes së fundit të dhunshme nga autoritetet iraniane.

Lidhur me largimin e personelit ushtarak, qeveria e Katarit deklaroi se do të vazhdojë të “zbatojë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të saj, si prioritet kryesor, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe objekteve ushtarake”.

Baza ajrore Al-Udeid është baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ku janë të vendosur rreth 10 mijë trupa amerikanë, si dhe rreth 100 pjesëtarë britanikë.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se ndonëse disa pjesëtarë të personelit janë urdhëruar të largohen nga baza, nuk ka shenja të menjëhershme për një tërheqje masive të trupave, siç ndodhi para një sulmi iranian vitin e kaluar.

Ndërkohë, një këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi të mërkurën presidentin Trump se sulmi i qershorit kishte treguar aftësinë e Iranit për t’iu përgjigjur çdo sulmi.

“Do të ndihmonte padyshim në krijimin e një kuptimi real të vullnetit dhe aftësisë së Iranit për t’iu përgjigjur çdo sulmi,” shkroi Ali Shamkhani në platformën X.

Po ashtu, Misioni i SHBA-së në Arabinë Saudite ka këshilluar personelin dhe qytetarët amerikanë që të “tregojnë kujdes të shtuar dhe të kufizojnë udhëtimet jo të domosdoshme drejt çdo instalimi ushtarak në rajon”.

SHBA-ja ka kërcënuar me ndërhyrje ndaj Iranit për vrasjen e protestuesve. Të martën, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se autoritetet iraniane do të “paguajnë një çmim të lartë” për vrasjet dhe u bëri thirrje qytetarëve që të “vazhdojnë protestat”.

Ai ka deklaruar gjithashtu se udhëheqësit iranianë e kanë kontaktuar dhe se “duan të negociojnë”, por shtoi se SHBA-ja “mund të detyrohet të veprojë përpara një takimi”.

Qeveria iraniane ka akuzuar SHBA-në se po përpiqet të “krijojë një justifikim për ndërhyrje ushtarake”, ndërsa kryetari i parlamentit paralajmëroi se, nëse SHBA-ja sulmon, objektivat ushtarake dhe qendrat detare izraelite dhe amerikane në rajon do të konsiderohen objektiva legjitime.

Protestat e fundit në Iran nisën në fund të dhjetorit, pas rënies së monedhës dhe rritjes së fortë të kostos së jetesës. Ato u shndërruan shpejt në kërkesa për ndryshim politik, duke u bërë një nga sfidat më serioze për establishmentin klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.