Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje trevjeçare që garanton tarifë zero për eksportet britanike të produkteve farmaceutike drejt SHBA-së. Në këmbim, Britania ka pranuar të rrisë shpenzimet për ilaçe përmes NHS-së.
Sipas marrëveshjes, pragu i çmimit mbi të cilin trajtimet e reja konsiderohen shumë të shtrenjta do të rritet me 25%, ndërsa shpenzimet e përgjithshme të NHS për ilaçe pritet të dyfishohen në 0.6% të PBB-së gjatë 10 viteve të ardhshme.
Sekretari britanik i Biznesit dhe Tregtisë, Peter Kyle, e përshkroi marrëveshjen si “garanci për të ardhmen e eksporteve farmaceutike britanike, me vlerë mbi 5 miliardë paund në vit, duke mbrojtur vendet e punës dhe duke tërhequr investime të reja”.
Marrëveshja vjen pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të rritur tarifat deri në 100% për ilaçet e importuara, duke pretenduar se SHBA paguan çmime më të larta krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara.
Sipas qeverisë britanike, kjo është hera e parë në mbi 20 vite që NHS pritet të paguajë më shumë për ilaçe. Vlerësimet e para sugjerojnë se rritja e kostove mund t’i kushtojë sistemit shëndetësor deri në 3 miliardë paund shtesë.
Ndërkohë, industria farmaceutike ka pësuar lëkundje në Britani, pasi disa kompani të mëdha, si GSK, Merck dhe AstraZeneca, kanë orientuar investime shumë miliardëshe drejt SHBA-së.