David Wisner, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës amerikane në Shqipëri ka shprehur mbështetjen e SHBA-ve sa i takon institucioneve të reja të drejtësisë.
Ai tha se Reforma në Drejtësi dhe sukseset e saj janë të pakthyeshme ndërsa shtoi se SHBA-të presin që institucionet e drejtësisë së re, të krijuara më 2016-ën, të jenë afatgjata.
Në Ditën e Drejtësisë, diplomati amerikan e pranoi se sistemi i drejtësisë përballet me disa sfida, mes tyre edhe presionin politik ndërsa shtoi se duhet më shumë bashkëpunim për të çuar para reformat e nevojshme.
“Sfidat me të cilat përballeni, janë të mëdha, do të ketë më shumë vetting, standarte më të mëdha në institucione duke qenë se ka edhe presion politik dhe pritshmëritë janë të mëdha. Është me shumë rëndësi puna juaj, takimi juaj është një shembull i jashtëzakonshëm që tregon se institucionet nuk mund të punojnë vetëm. Mund t’ju them se SHBA është krenare që punon me KLP me prokurorët, me gjykatësit për të ndihmuar Shqipërinë për një të ardhme më të mirë. Numri i dosjeve, mbushja e vakancave, ka akoma proces vettingu, ka presion politik, pritshmëri të larta nga publiku, dhe ju do të vazhdoni të punoni.
Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme, ne presim që institucionet e krijuara në 2016-ën të jenë afatgjata. Duhet bërë më shumë nga politikanët për të përmirësuar qeverisjen. Iu premtoj se SHBA do e mbështesë përpjekjen për reforma për pavarësinë e gjyqësorit. Inkurajojmë më shumë bashkëpunim me Shoqërinë Civile për të zbatuar reformat e duhura”- u shpreh ai.