Sekuestrohet fabrika e cigareve në Librazhd në pronësi të Ergys Agasit, hetimi i SPAK zbuloi kontrabandën drejt vendeve të BE

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar kompaninë e cigareve në Librazhd, në pronësi të biznesmenit Ergys Agasi, i cili u paraqit në SPAK disa ditë më parë.

Vendimi i SPAK për sekuestron vjen për shkak të hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme, pasi kjo fabrikë cigaresh në periferi të Librazhdit dyshohet se përdorur prej vitesh si maskim për një grup të strukturuar kriminal në fushën e kontrabandës me vendet e Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, me një dëm të dokumentuar prej më shumë se 36 milionë eurosh ndaj buxhetit të shtetit.

Në qendër të skemës së kontrabandës është, sipas SPAK, kompania “Albanian Tabak Fabrika e Cigareve” dhe pronarët e saj të mëparshëm, Ilir dhe Darjo Jashari. Prej shkurtit të këtij viti, kompania e prodhimit të cigareve, Albania Tabak u ble nga kompania “EA TOBAÇO” në pronësinë e Ergys Agasit.

Sipas SPAK, të dyshuarit kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas në ato të Bashkimit Evropian, duke përdorur një skemë të sofistikuar.

Bazuar në rezultatet e hetimit të kryer prej vitit 2023, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg” ndaj ish-pronarit të fabrikës së cigareve, Ilir Jashari, djalit të tij, Darjo Jashari, administratorit të kompanisë, Servet Dauti, shtetasit Kosovar Luan Qorolli si dhe shtetasve serbë, Mile Bijeliç dhe Zeljko Stafjer, të gjithë të dyshuar për veprën penale të kontrabandës me mallrat e akcizës dhe grupit të strukturuar kriminal.

Gjykata ka caktuar “arrest në burg” dhe ndaj nëntë punonjësve të doganës dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” ndaj një punonjëseje tjetër, që akuzohen për kontrabandë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, janë ndaluar vetëm 5 prej 14 të hetuarve ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”. Ndërkohë, janë ekzekutuar 15 nga 20 masat “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.