Në 80 vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, në ceremoninë e zhvilluar në Shkodër kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Partisë Komuniste, të cilët kanë vendosur yllin e kuq të diktaturës pranë bustit të Ushtarit të Panjohur.
Sekretari i kësaj partie, Gjon Bruçi, deklaroi se është e turpshme që përmendet lufta por nuk përmendet Enver Hoxha dhe Partia Komuniste.
“Të përmendësh luftën dhe të mos përmendësh Partinë Komuniste dhe shokun Enver hoxha, do të thotë të mos jesh këtu”, tha ai.
Sipas tij, ishin komunistët që e sollën lirinë e Shqipërisë, teksa shtoi se në këto 34 vite, vendi ynë është i pushtuar nga imperialistët amerikanë dhe evropianë.
“Këto 34 vite nuk jemi të liruar, jemi të pushtuar. Në 112 vite nga koha e Pavarësisë, vetëm 41 vite kemi qenë shtet i pavarur, 1944-1985. Në të gjitha kohët e tjera kemi qenë vend i pushtuar. Të pushtuar nga imperialistët amerikanë, nga imperialistët evropianë”, u shpreh ai.