Kancelari federal Friedrich Merz dhe drejtuesit e tjerë të BE-së nuk arritën ta bindin kryeministrin hungarez Viktor Orban që të heqë dorë nga bllokada e tij ndaj ndihmave financiare miliardëshe për Ukrainën gjatë samitit (19.03.2026) në Bruksel. Sipas disa diplomatëve të Agjencisë Gjermane të Shtypit (dpa), bisedimet përfunduan vonë në mbrëmje pa një zgjidhje të mosmarrëveshjes.
Populisti i djathtë Viktor Orban, i cili po lufton për rizgjedhjen e tij në Hungari,vazhdon të këmbëngulë se do ta tërheqë veton vetëm kur Hungaria të marrë sërish furnizime me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”. Orban pretendon se pa naftën e lirë ruse, ekonomitë familjare dhe ndërmarrjet hungareze do të falimentonin.
As presioni i konsiderueshëm nga kancelari federal Merz (CDU) dhe udhëheqës të tjerë shtetesh dhe qeverish nuk arriti ta ndryshonte këtë të enjten. Sipas diplomatëve, ata kritikuan qëndrimin e Orbanit pas dyerve të mbyllura si të papranueshëm dhe theksuan se ai e kishte miratuar tashmë planin për ndihma për Ukrainën deri në 90 miliardë euro në samitin e dhjetorit (2025).
Merz tha publikisht: “Parimi i punës në Bashkimin Evropian është parimi i besnikërisë dhe i besueshmërisë.” Të gjitha shtetet anëtare duhet t’i përmbahen këtij parimi.
Hungaria dhe Ukraina akuza të ndërsjellta njëra-tjetrës
Në konfliktin për ndërprerjen e furnizimeve me naftë përmes tubacionit “Druzhba”, bëhet fjalë për faktin që Hungaria e akuzon Ukrainën se po pengon rifillimin e funksionimit të linjës. Tubacioni kalon nga Rusia, përmes Bjellorusisë dhe Ukrainës, deri në Hungari dhe Sllovaki.
Ukraina i hedh poshtë akuzat dhe thekson se tubacioni aktualisht nuk është i përdorshëm për shkak të pasojave të sulmeve ruse nga ajri. Për riparimet e nevojshme, ajo së fundmi ka vlerësuar se duhen rreth një muaj e gjysmë kohë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj tha të enjten, gjatë një lidhjeje me video me krerët e shteteve dhe qeverive të BE‑së, se Ukraina po bën gjithçka që është e nevojshme për të marrë huanë – duke përfshirë edhe përpjekjet për riparimin e tubacionit. Njëkohësisht, ai paralajmëroi BE‑në se vazhdimi i importeve të naftës ruse do t’i ndihmonte agresorit.
Qartësi mbi gjendjen e saktë të tubacionit pritet të sjellë tani një mision i pavarur me ekspertë të BE‑së. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse rezultatet e tyre mund ta bindin realisht Orbanin të bëjë lëshime. Sepse në vendin e tij ai po lufton për rizgjedhje përmes një fushate kundër Ukrainës, duke nxitur frikën se Hungaria mund të tërhiqet në luftë.
Sipas sondazheve për zgjedhjet parlamentare në Hungari, partia e Orbanit së fundmi renditej pas asaj të sfiduesit të tij, Péter Magyar. Nëse Magyar fiton zgjedhjet, ky samit mund të ketë qenë i fundit i rregullt për Orbanin. Aktualisht ai është kreu i shtetit dhe i qeverisë me më shumë vite në detyrë në Këshillin Evropian. Populisti i djathtë është në pushtet pandërprerë që nga viti 2010.
A duhet një zgjidhje emergjence?
Kryeministri finlandez Petteri Orpo akuzoi Orbanin se po e përdor Ukrainën, e cila është sulmuar nga Rusia, si një “armë” në fushatën e tij për zgjedhjet parlamentare më 12 prill. “Ne kishim një marrëveshje, dhe mendoj se ai na ka tradhëtuar,” tha ai. Duhet të gjendet tani një zgjidhje se si të vazhdohet më tej.
Fillimisht askush nuk deshi të fliste publikisht për opsione konkrete. Është e mundur që Gjermania dhe shtete të tjera të BE‑së, në rast se bllokada zgjat më shumë, të kërkojnë mënyra të tjera për të siguruar garancitë e nevojshme për huanë e planifikuar për Ukrainën. Aktualisht, synohet të përdoret buxheti i BE‑së, gjë që i jep Hungarisë të drejtën e vetos. Paratë synojnë të mbulojnë nevojat më urgjente financiare të Ukrainës deri në fund të vitit 2027 dhe t’i mundësojnë vendit vazhdimin e luftës së tij mbrojtëse kundër Rusisë.
Kryeministri belg Bart De Wever tha se besonte se ekziston një “Plan B”. Megjithatë, nuk do të ishte e mençur të flitej për të. Zelenskyj deri tani nuk është shprehur qartë për pyetjen se kur Ukraina ka nevojë më së voni për fonde të reja nga BE‑ja.
Orban prej vitesh larg linjës shumicë të BE‑së
Orban prej vitesh është larg qëndrimit të shumicës në Bashkimin Evropian në shumë fusha. Atij i bëhen vazhdimisht akuza për mosrespektim të standardeve dhe vlerave themelore të BE‑së. Për shkak të shkeljeve të parimeve të shtetit ligjor, vendi i tij ka humbur së fundmi miliarda euro ndihma nga fondet e BE‑së.
Teorikisht, është e mundur që atij t’i hiqen të drejtat e votës në BE. Megjithatë, Hungaria nuk ka shumë arsye të frikësohet për këtë tani. Sepse Orban mund të jetë ende i sigurt se një vendim i tillë nuk do të miratohej për shkak të vetos së kryeministrit sllovak Robert Fico.
Sllovakia, ashtu si Hungaria, vazhdon të jetë blerëse e naftës ruse dhe vuan gjithashtu nga ndërprerja e furnizimeve përmes tubacionit “Druzhba”. Prej kohësh, të dy vendet po bllokojnë një vendim për paketën e 20-të të sanksioneve të BE‑së kundër Rusisë. Në samit, ato penguan një deklaratë të përbashkët të të gjitha shteteve të BE‑së mbi luftën në Ukrainë.
Krerët e BE-së bëjnë thirrje për përmbajtje në luftën e Iranit
Sulmet e fundit ndaj impianteve të prodhimit të gazit në Iran dhe në shtetin fqinj Katar kanë nxitur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës.
Krërët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian kërkojnë ndalimin e sulmeve ndaj impianteve të sektorit të energjisë dhe ujit në luftën në Iran. Ata ranë dakord për këtë gjatë një samiti në Bruksel. Gjithashtu, ata u bënë thirrje të gjitha palëve “të de-përshkallëzojnë situatën dhe të tregojnë përmbajtjen më të madhe të mundshme, të mbrojnë popullsinë civile dhe infrastrukturën civile si edhe të respektojnë plotësisht të drejtën ndërkombëtare.”
Izraeli sulmoi të mërkurën (18.03.2026) fushën e rëndësishme të gazit “South Pars”, e cila shfrytëzohet nga Irani dhe Katari. Sipas presidentit të SHBA‑së, Donald Trump, kjo kishte ndodhur pa dijeninë dhe pa miratimin e tij. Por raportet e mediave amerikane sugjeronin se Trump e kishte miratuar qartësisht sulmin, për të rritur presionin ndaj Iranit që të hapë rrugën detare të Hormuzit – një arterie thelbësore për tregun botëror të naftës. Irani nga ana e tij sulmoi impiante të gazit të lëngshëm në Katar. Katari është një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit në botë dhe luan një rol kyç në furnizimin global me gaz të lëngshëm (LNG)./DW