Sami Neza

Pse nuk mjafton vetëm SPAK për të luftuar korrupsionin

Qëllimisht kreu i qeverisë e ndan çështjen e korrupsionit nga parandalimi ose funksionimi i instrumentave shtetërore për të parandaluar korrupsionin. Sikur ai nuk është korrupsion derisa të penalizohet dhe se penalizimiështë i vetmi moment që fakton, ligjëron dhe konkretizon korrupsionin.

Ndryshe pjesa e “frikës që ruan vreshtat” nuk ka kurrfarë vlere, ose shembet kur kryeministri heq dorë nga krijimi i kësaj barriere që ka kontribut në forcimin e  etikës në njëqeveri në të gjitha nivelet e saj.

“Frika ruan vreshtat” në kuptimin e saj të përshtatur për rastin, konstaton pikërisht këtë situatë, mungesën e instrumentave penalë për të përballuar një fluks të madh mundësish për të vjedhur ‘vreshtin’ që shtrihet sa gjerë e sa gjatë ndërkohë që diku në një kënd është vetëm një roje. Natyrisht që një roje është e pamjaftueshme për ruajtjen por se prezenca fizike e një roje vetëm furnizon idenë se vreshti ruhet me shumë roje prandaj hajdutët nuk e vjedhin pasi nuk shkojnë ta provojnë për shkak të besimit që kanë se vreshti ruhet mirë.

Nëse e provojnë ta vjedhin, pra nëse kalojnë këtë kufirin e frikës, ata mund ta vjedhin gjithë vreshtin, ndërsa nga të gjithë hajdutët vetëm njëri mund të jetë fatkeq, pasi i ka rënë të vjedhë pikërisht aty ku ishte roja. Të tjerët në pjesë të tjera të vreshtit kanë vjedhur sa kanë dashur. Ky që u kap edhe mund të mos ketë grumbulluar shumë vresht në çantën e tij por vetëm disa bistakë. Roja e pa. Ai i dorëzua. Është moment penal. Roja është ligjzbatuesi. Por ama në këtë rast vreshti nuk shpëtohet. Ai vidhet nga shumë hajdutë. Vetëm një është kapur dhe do të dënohet me aq ndëshkim sa vile rrushi iu kapën.

Vreshti u vodh se u rrënua mbrojtja ‘morale’, pra sistemi që mbahej nga ‘frika’ e rojeve dhe jo nga numri i rojeve.

Ky moment mund të ilustrojë më thjesht faktin se beteja me korrupsionin në administratën publike deri në institucione të larta si qeveria dhe Kuvendi nuk mund të bëhet vetëm me prokurorë dhe se krijimi i mitit të prokurorit nga kryeministrit është ikje prej dështimit për të ndërtuar ‘frikën’, ndryshe për të kriiuar një administratëmenaxheriale, politike që nuk vjedh.

Rama e lidh korrupsionin vetëm me situatën personale të zyrtarit në raport me prokurorin.

Por korrupsioni luftohet me instrumentat që përbëjnë “frikën që ruan vreshtin”, përpara se të vijë puna te roja, pasi sic thamë më sipër një roje mund të kapë vetëm njëhajdut

Këto instrumenta janë administrata e përgjegjshme dhe me njohuri për përgjegjësinë që ata kanë në menaxhimin e parave të shtetit, borde dhe autoritete kontrolli, instrumenta që kanalizojmë përgjegjësitë e vendimmarrjes, ministrat që nuk janë aspak roje, por pjesë e ‘frikës’ si dhe vetë kryeministrin që është edhe dirigjenti i ‘frikës’ dhe ka përgjegjësinë kryesore nëse ky instrument, pra ‘frika’ bie.

Drejtimi i gishtit te drejtësia si mjeti i vetëm i luftës kundër korrupsionit është asgjë më shumë se mbrojtje e korrupsionit.

Kryeministri e di mirë që përgjegjësia personale nuk e zgjidh problemin edhe pse në harkun kohor të pak viteve një numër zyrtarësh të lartë, deputetë dhe ministra janë në burg apo të akuzuar. Janë më shumë se kurrë më parë. Jo thjesht se prokuroria po punon më shumë, që në fakt po punon me shumë, por se në administratën publike, qeveri dhe parlament kanë rënë instrumentat parandalues. Në Shqipëri vidhet gjithë vreshti se nuk ka kush frikë nga ideja se ka roje.

Dhe përveç kryeministrit Rama ka rënë edhe Parlamenti si kontrollues i qeverisë, deri diku opozita, shoqëria civile apo media, që janë pjesë e frikës që tremb hajdutët. Kryeministri thotë se nuk mban përgjegjësi për korrupsionin e shtrirë në të gjithë shtetin, pra ka hequr dorë nga funksioni kryesor se pse qeveritë kanë kryeministër, pra ka hequr dorë nga konstruktimi i ‘frikës’ duke shembur paranojën e rojës tek hajdutët.

Ndërsa parlamenti voton ligje me porosi, i ka rënë kontrolli mbi qeverinë dhe është pjesë e qarkut të hajdutëve, opozita është e përçarë, pjesa e madhe e saj është bllokuar nga mazhoranca në çdo iniciativë si pjesë e skemës së zhdukjes së frikës.

Shoqëria civile është e monopolizuar. Paratë e donatorëve të mëdhenj shkojnë më tre katër emra organizatash dhe ato çuditërisht nuk furnizojnë ‘frikën’.

Media e varfër dhe po ashtu e lidhur me interesa nuk ka shëndet për të mbajtur gjallë flakën e ‘frikës’ të ata që kanë në dorë paratë e shtetit.

Pra kemi situatën ku gjithë zyrat e shtetit, gjithë bashkitë, gjithë ministrat, deputetët bëjnë korrupsion, qoftë edhe për faktin se rojet janë shumë pak, kapin aq sa kapin por probaliteti është të kapin fare pak në raport me vjedhjen.

Duke qëndruar në logjikën e kryeministrit që nuk ka përgjegjësi dhe përgjegjësia është personale i bie që vreshti të vidhet dhe hajdutë të kapur të këtë fare pak. Se kaq janë rojet.

SPAK ka 17 prokurorë, ndonjë prej tyre nuk është dhe aq shumë roje. Nëse prona publike do të ruhej nga rojet janë krejt të pamjaftueshëm 17 prokurorë. Numri i prokurorëve do të duhej të ishte më i madh se i policëve, pra afro 14 mijë të tillë.

Se me 17 prokurorë mund të kapësh një ministër, maksimumi dy, të tjerët do të shijnë në lëmë. Kryeministri Rama ndërkaq vetëm për faqen e tij në Facebook ka 34 adminë.

Te ngjashme