Ervin Salianji i përgjigjet nga burgu Niko Peleshit: Pse nuk mban përgjegjësi për helmet që fute kur ishe Ministër Bujqësie?

Ish deputeti i PD, Ervin Salianji i është përgjigjur deklaratave të kreut të grupit të PS, Niko Peleshi lidhur me aksionin opozitar.

Nga burgu i Fierit ku po vuan dënimin për kallëzim të rremë, Salianji shprehet se, Partia Demokratike proteston kundër kapjes dhe përdorimit të drejtësisë. Ai hodhi akuza ndaj Peleshit, duke thënë se është përfitues, personalisht nga dy standartet e drejtësisë.

Salianj ne reagimin e tij ngre pyetjet se pse nuk mbajti përgjegjësi Peleshi për helmet që futi me firmën e vetë kur ishte Minister Bujqësie, ndërkohë që ekspertët e fushës e kishin thënë fjalën e tyre që këto kimikate helmonin qytetarët dhe a ka hetim për pronësitë e shumta të tij në Korçë? 

“Po reagojmë ndaj padrejtësisë, që e prodhon kapja dhe përdorimi politik i  gjykatave! Vendime të padrejta historia njeh me simbole të mëdha! Edhe Mandela u gjykua nga Rivonia Trial dhe u burgos, Martin Luter King u gjykua nga gjykatat, edhe madje Gandi u gjykua e dënua nga gjykatat. Ata që guxuan t’i dënojnë, nuk shpëtuan as nga drejtësia e njeriut as nga ajo e historisë. Sot, Partia Demokratike proteston kundër kapjes dhe përdorimit të drejtësisë, çdo qytetar mund ta gjykojë vetë nëse i shërben kjo interesit qytetar! I shërbejmë Shqipërisë duke denoncuar banditët e kriminelë me pushtet, duke denoncuar këta që vjedhin e shkretojnë Shqipërinë?! Niko Peleshi është përfitues, personalisht nga dy standartet e drejtësisë. Kur Rama e flaku si ministër ju hapën disa hetime. Pyetja është pse nuk u hetua plotësisht dhe të mbajë përgjegjësi Peleshi për helmet që futi me firmën e vet kur ishte Ministër Bujqësie, ndërkohë që ekspertët e fushës e kishin thënë fjalën e tyre që këto kimikate helmonin qytetarët! Publiku do të dijë; ku janë hetimet për Peleshin, kur ai del në komunikime për korrupsion në kohën kur drejtonte Bashkinë Korçë? Publiku do të dijë, a ka hetim për pronësitë e shumta të tij në Korçë?

Çfarë shkakton dëm për interesin publik, helmimi i qytetarëve, korrupsioni dhe klientelizmi i Peleshit apo denoncimi im i një trafikanti droge i cili u shpëtua nga hetimi dhe dënimi i ri për trafik droge për shkak se u paketua brenda ditës për në Itali?! Nëse thënia e të vërtetave dhe denoncimet e mafies kanë kosto, po marr përsipër çdo kosto dhe izolimin e privimin e padrejtë të lirisë dhe marrjen e mandatit të qytetarëve, por ta harrojnë se kjo do të ndalë të vërtetat. E mos shesin më kumbullat e pangrënshme të propagandës, se gjoja nuk komentojnë vendimet e gjykatave, këtë alibi ja ka shuar Rama, ishte ai që në parlament e paralajmëroi në 3 seanca dënimin tim politik. Ishte Rama vetë që  dhe pas vendimit, i doli për zot dënimit, duke i dhënë argumenta gjykatës që ende sot nuk po i shpall. E vërteta vonon, por nuk harron!”, thotë Salianji në reagimin e tij.