Kreu i PD, Sali Berisha gjatë një konference për mediat, njoftoi datën e protestës së radhës së opozitës, e cila do të zhvillohet brenda pak ditësh. Opozita njoftoi Berisha, do të protestojë më datë 26 Nëntor, teksa ftoi shqiptarët që t’i bashkohen opozitës. Sipas Berishës, mosbindja civile është rrugë e vetme e ndarjes nga kjo diktaturë.
“Në datë 26 Nëntor është protesta tjetër kombëtare, më e fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ndaj ftoj shqiptarët, në datën 26 marshim në Tiranë. E gjithë Shqipëria në Tiranë. Mosbindja civile është rrugë e vetme e ndarjes nga kjo diktaturë”, tha kreu i PD.
Më herët ai reagoi në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e tij, për të shpallur të paligjshëm masën e parë të sigurisë, atë të “detyrim paraqitje”, të vendosur nga GJKKO.
Berisha në një konferencë për mediat, tha se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj u bë pjesë e grushtit të shtetit, duke e cilësuar si një akt poshtërues.
“Gjykata shkroi jo vetëm kushtetutën, por edhe kartën universale të të drejtave të njeriut, konventën Europiane të të drejtave të njeriut dhe një seri vendimesh të Gjykatës së Strasburgut. Ajo gjykatë për të mbrojtur grushtin e shtetit, përvetësimin e pushtetit të parlamentit për llogari të kryeministrit nga mercenarë, gjyqtarë dhe prokurorë, shkoi gjer në shkallën absurde të shpallë lirinë e lëvizjes si, jo një liri individuale. Dhe sipas saj, liria e lëvizjes nuk është, nuk përfshihet në liritë personale, apo individuale. Nuk mund të ketë akt më poshtërues për një jurist që ka alfabetin e ligjit dhe kushtetutës”, tha Berisha në një konferencë për mediat.