Sali Berisha mbetet në “arrest shtëpie”, GJKKO e Apelit nuk ndryshon masën për ish kryeministrin dhe dhëndrin e tij

Ish kryeministri Sali Berisha do të mbetet në arrest shtëpie pasi mesditën e sotme gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi të rrëzojë kërkesën e radhës  për ndryshimin e masës së sigurisë për Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj foli për mediat pas seancës në Apelin e GJKKO.

“Afatet e hetimit i ka përcaktuar ligji, këta i kanë shtyrë. Berisha po qëndron në paraburgim ndërkohë që po kryhen veprime që nuk kanë lidhje me veprën e korrupsionit. Hajde shpjegojeni ju dhe unë bashkë cfarë është kjo estradë juridike që këta po zhvillojnë. Berishës mandatin ja ka dhënë populli,. Berisha nuk mungon për shkak të dëshirës së tij. Ne kemi bërë kërkesën në SPAK, në gjykatë, gjykatë të lartë dhe ata kanë vendosur në kundërshtim me praktikën! Mungesa e Berishës nuk është për faj të tij dhe mandati i tij mbetet i pacenuar ligjërisht”, tha avokati.

Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzohet për korrupsion pasiv si pjesë e një hetimi gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. 

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 18.06.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 130 akti, datë 11.06.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 245 akti, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 245 akti, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e Apelit.