Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, kanë kërkuar me anë të avokatëve të tyre heqjen e masave të sigurisë “arrest me burg”.
Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë sot kërkesat e tyre, teksa kujtojmë se pak ditë më parë Gjykata e Lartë rrëzoi rekurset e Berishës dhe të SPAK.
Kreu i Rithemelimit kishte kundërshtuar masat e para të sigurisë që u vendosën ndaj tij, “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Sipas tij, këto urdhra nuk u zbatuan për shkak se SPAK nuk mori autorizimin nga Kuvendi, çfarë çoi edhe në rëndimin e masës ndaj tij në “arrest në shtëpi”.
Ndërsa SPAK kërkoi kthimin në burg të Malltezit, por edhe kjo kërkesë nuk u pranua. Në tetor të 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme në pronësi të tij dhe bashkëshortes, Argita Malltezi, mes tyre 6 llogari bankare.
Për sa i përket ish-kryeministrit, ai qëndron në “arrest shtëpie” prej 30 Dhjetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet për “korrupsion pasiv” në privatizimin e kompleksit Partizani.