Arrestimi i paralajmëruar e Vangjush Dakos mbrëmjen e djeshme ka marrë gjithë vëmendjen e mediave dhe publikut. Edhe pse ndaj Dakos ka patur hetime për pasurinë, afera korruptive dhe lidhje me grupe kriminale, akuza e ngritur SPAK për arrestimin ish kryebashkiakut të Durrësit, është shpërdorim detyre në lidhje me disa kate shtesë për një pallat në këtë qytet, i cili pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 2019. Gjithashtu akuza ngrihet edhe për një projekt në shëtitoren e Durrësit, ku sipas KLSH i janë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 180 milionë lekësh të vjetra.
Ai u paraqit vetë dje në ambientet e Policisë së Tiranës, pas urdhërarrestit të lëshuar nga SPAK. Por sa mund të dënohet ish-kryebashkiaku i Durrësit, një prej eksponentëve të rëndësishëm për shumë vite të socialistëve në pushtet?
Ndaj Dakos rëndon një akuzë, e cila mund të dënohet nga gjobë deri në 7 vite burg.
Konkretisht kodi penal parashikon që: Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Përveç Dakos, SPAK ka lëshuar urdhërarreste dhe për 9 persona të tjerë, 6 prej të cilëve me burg, dhe 3 në masën e arrestit të shtëpisë.