Sa komike e tragjike, shqiptari që zhvat biznesmenet me një SMS duke u hequr si ministër, shqetësoi edhe Edi Ramën

Kryeministri Edi Rama reagoi sot duke u kërkuar qytetarëve që të verifikojnë çdo mesazh që u vjen në telefon nga njerëz publik. Në fakt, reagimi i kryeministrit nuk vjen thjeshtë si këshillë ndaj qytetarëve por ekspozon një skemë e cila tregon situatën tragjike dhe komike njëkohësisht.

“Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit ka dëmtuar disa persona deri më sot. Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar para drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve.

Por ndërkohë që policia vazhdon punën e saj për identifikimin e të tjerëve, u sugjeroj të gjithë atyre që marrin mesazhe në emrin e personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, që të shmangin kurthin e kësaj loje kriminale,” shkroi Rama në reagim.

Një shqiptar me banim në Gjermani ka arritur që permes sms-ve të thjeshta duke u hequr si ministër apo kryetar bashkie i Edi Ramës u ka kërkuar qindra mijëra euro cash biznesmenëve dhe ia ka dalë. Fakti që shumë njerëz kanë dhënë paratë zbulon korrupsionin e madh politik ku politikanë në pushtet mund të kërkojnë lehtësisht para nga biznesmenët të cilët çojnë menjëherë çantat me lekë.

Personi është Florian Gjergji, i dyshuari si koka e grupit që arriti të mashtrojë biznesmenët më të fuqishëm të Tiranës, disave prej tyre duke iu marrë shuma të mëdha parash në emër të politikanëve të njohur të vendit.

Gjergji deri para pak kohësh dihej se  ndodhej në Gjermani, nga ku organizonte të gjitha skemat e mashtrimit, në rrjetën e të cilit kanë rënë biznesmenë të ndryshëm, kryesisht ata të fushës së ndërtimit.

Në rastin më të fundit, ai kërkoi nga një biznesmen 100 mijë euro në emër të ministrit të Brendshëm Taulant Balla. Biznesmeni nuk dyshoi aspak dhe i dorëzoi korrierit paratë duke menduar se po ia çonte ministrit Balla. 

Viktima i fundit ishte një arkitekt i njohur. mashtruesit i dërguan atij nje mesazh në rrjetin social Signal duke iu prezantuar si Erion Veliaj në Tiranë. Pas disa bisedave, ata i kërkuan biznesmenit 70 mijë euro.  

Florian Gjergji dyshohet se të paktën në 4 raste të tjera, ka organizuar të njëjtën skemë vjedhje, duke përdorur emra politikanësh dhe ku u kanë kërkuar shuma të mëdha parash. Episodi i parë ishte ai i një biznesmeni në Kamzë të cilit i kërkoi 13 mijë euro.

Në atë kohë, në operacionin “Tentativa” u arrestuan 3 persona të tjerë, të cilët i kishte pajtuar për të kryer mashtrimin, ndërsa vetë Florian Gjergji nuk u gjet. Nga arratia emri i tij doli në skenë për po të njëjtën vepër penale. Në 13 shkurt ishte “koka” e mashtrimit të një tjetër biznesmeni, pronar i një kazinoje në Tiranë, të cilit sërish i kërkuan para kamufluar si ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame.

Ai ka tentuar të mashtrojë edhe biznesmenin Ram Geci, pasi i shkruajti në aplikacionin “Signal” duke i kërkuar 100 mijë euro sikur të ishte Erion Veliaj, por sërish nuk ra vetë në grackë.

Gjergji vetë komandon grupin nga Gjermani ndërsa  të gjithë ata që janë kapur deri tani për këtë çështje ose kanë patur rol dytësor, ose ishin përdorur thjesht si korrier për të marrë paratë nga viktimat.