Rubio duartrokitet pas fjalimit të fuqishëm në Mynih: Evropa është fati ynë i përbashkët!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbajti sot një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, i cili u pasua me duartrokitje nga të pranishmit në sallë.

Ai deklaroi se presidenti amerikan, Donald Trump, kërkon “seriozitet dhe reciprocitet nga miqtë tanë në Evropë”.

“Arsyeja, shokë të mi, është sepse na intereson thellësisht. Na intereson thellësisht e ardhmja juaj dhe e jona”, tha Rubio.

Kryediplomati amerikan theksoi se, edhe kur lindin mosmarrëveshje, ato burojnë nga një shqetësim i thellë për Evropën, jo vetëm nga perspektiva ekonomike apo ushtarake

“Ne jemi të lidhur shpirtërisht dhe kulturërisht. Dëshirojmë që Evropa të jetë e fortë. Besojmë se Evropa duhet të mbijetojë… fati ynë gjithmonë do të jetë i lidhur me tuajin”, shtoi ai.

Rubio nënvizoi se fati i Evropës ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi sigurinë kombëtare të SHBA-së, që është edhe fokusi kryesor i kësaj konference.

Ai paralajmëroi gjithashtu se vendi i tij synon “të rivitalizojë një miqësi të vjetër dhe të rinovojë civilizimin më të madh në historinë e njerëzimit”.

Sekretari amerikan i Shtetit theksoi rëndësinë e forcimit të aleancës SHBA–Evropë “edhe pse shtëpia jonë është në Hemisferën Perëndimore… ne gjithmonë do të jemi një fëmijë i Evropës. Kolonitë tona të para u themeluan nga kolonistët anglezë, të cilëve u detyrohemi jo vetëm gjuhën që flasim, por gjithë sistemin tonë politik dhe ligjor”.
Konferenca më e madhe në botë e Sigurisë do të vazhdojë punimet gjatë ditës së sotme dhe të nesërme.