Rrëmbeu dhe dogji dy të rinj në vitin 1997, dënohet me 25 vite burg kreu i “Bandës së Vakëfit”

Gjykata e Beratit ka dënuar me 25 vite burg Byniamin Hajron, i akuzuar për një krim makabër në vitin 1997, ku rrëmbeu dhe dogji dy të rinj. Bynianim Hajro, i njohur edhe me nofkën Bujo Çami, u ekstradua nga Gjermania në gusht të 2019-ës.

Hajro ishte kreu i grupit të “Bandës së Vakëfit”, ku bënin pjesë edhe Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha

Ai ndodhej aktualisht në arrest shëpie pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi në qershor të 1997-ës ku Arjan Avdullai dhe Eduart Pema u morën peng nën kërcënimin e armëve. Ata janë mbajtur një natë duke u keqtrajtuar në një garazh dhe të nesërmen, në mes të Beratit, trupat e tyre janë lyer me benzinë dhe u është vënë flaka teksa viktimat ishin lidhur.

Dëshmia e vëllait të Eduart Pemës ishte kyçe për zbardhjen e kësaj ngjarje tronditëse, ku Harjo së bashku me Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazmend Hoxhën torturuan dhe vranë dy anëtarë të bandës kundërshtare.