“Rrebeshe molotovi”, plagosen 10 efektivë, Policia njoftim: Do shoqërohet çdo person i përfshirë në këto sulme

Përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, si dhe hedhja e molotovit drejt institucioneve, kanë sjellë edhe plagosjen e 10 efektivëve.

Lajmin e bën publik Policia e shtetit, e cila u bën apel qytetarëve  të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

Në njoftim thuhet se do të shoqërohet çdo person i përfshirë në këto sulme, pasi janë marrë të gjitha masat për identifikimin e tyre.

Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.

Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.

Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.