Ndryshime të rëndësishme duket se do të ndodhin edhe te Partia e Lirisë, me kryetarin Ilir Meta që ka paralajmëruar një rithemelim të partisë që drejton.
Në 27 Prill, Partia e Lirisë do të mbajë Konventën, ku do të votohen edhe propozimet e Kryesisë, që kanë të bëjnë me një parti me baza të reja dhe ku nepotizmi nuk ka vend.
“Statuti do e ndërtojë këtë parti me baza të reja duke i thënë fund nepotizmit, duke i thënë dhunë mosmbajtjes së përgjegjësive, kakofonisë në drejtim dhe lënies hapësirë për alibi e shfajësime për ata që nuk përmbushin detyrimet e tyre”, tha Meta në mbledhjen e sotme të Kryesisë.
Ky i fundit propozoi që Partia e Lirisë të mos ketë dy drejtues, duke marrë shembullin e PD-së që u shkatërrua nga dualizmi, sidomos kur në mes futet një dorë e tretë.
“Ftoj këdo që ka dëshirë të drejtojë më mirë PL të kandidojë në konventën që vjen. Ftoj cilindo që ka një platformë më të mirë, ta paraqesë. Kjo nuk mund të jetë një forcë me dy shoferë. Dualizmi ishte shkatërrimtar për PD, pale kur futet ndonjë dorë e tretë në timon dhe askush nuk mban përgjegjësi për fatinë autobusit.
Duhet shpejtësi, duhet vendimmarrje, fuqizim i organizmit dhe përqendrim i mesazhit te 5 prioritetet dhe një vendimmarrje vertikale në zbatimin e çdo vendimi që merr Konventa dhe gjitha forumet më pas”, tha Meta.
Propozimi i Metës për të hequr nepotizmin bie direkt mbi bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin, e cila përjashtohet nga struktura drejtues e partisë nëse këto propozime votohen në Konventën e 27 Prillit.